E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, fjalim si Kryeministri i ardhshëm

08/04/2011  Partia Socialiste hap fushatën elektorale, përqendron vëmendjen në Bashkinë e Tiranës

Organizimi, ligjërime kandidatësh, dokumentarë me pamje filmike nga 21 janari

Partia Socialiste ka përqendruar fushatën elektorale për zgjedhjet e 8 majit në garën për drejtimin e kryeqendrës së vendit. Kështu, kjo forcë politike dhe aleanca që ajo kryeson në zgjedhjet e 8 majit, hapën dje fushatën elektorale për vendoret, ku shpalosin qartazi pozicionin e tyre në këto zgjedhje, të cilat konsiderohen prej tyre si politike. Ndaj dhe për këtë arsye e gjithë vëmendja ishte e fokusuar tek kryesimi i Tiranës, si një trofe, i cili do të përcaktojë se cili kamp politik do t’i fitojë këto zgjedhje. Ndërkohë që dhe vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kishte shkrirë në fjalimin e tij jo vetëm arritjet e deritanishme në Bashkinë e Tiranës, por njëkohësisht dhe vizionin e partisë së drejtuar prej tij në krye të qeverisjes qendrore. Kjo për vetë faktin se pas fitores më 8 maj, Partia Socialiste do të kërkojë dhe do të insistojë në zhvillimin e zgjedhjes së parakohshme për parlamentaret.

Takimi

Një skenë e veshur në të roztë, germat kapitale të kryeqytetit të vendosura në qendër të saj, si dhe një banderolë të përmasave të mëdha ku ishte zgjedhur pamje nga një pjesë e rrugëve të Tiranës përreth lumit të Lanës, ishin disa nga elementët përbërës përmes të cilave Partia Socialiste kishte zgjedhur të hapte dje në pallatin e kongreseve fushatën e saj elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit. Njëkohësisht, ngjyrave të shumta që shfaqte e gjithë skena në komplekstietin e saj iu shtuan dhe cicërimat e zogjve që organizatorët e këtij eventi kishin zgjedhur për hapjen e tij. Por, edhe pse një atmosferë që deri diku të jepte përshtypjen e ardhjes së pranverës, si simbolikë për fitoren që presin socialistët më 8 maj, kjo ishte vetëm për pak çaste. Pas hapjes së këtij takimi, i cili zgjati për gati 4 orë, organizatorët kishin vendosur që të transmetonin dhe një dokumentar, për ngjarjet e 21 janarit, si dhe ripërsëritjen e video përgjimit Meta-Prifti. Në këtë dokumentar ishin përfshirë pamjet rrëqethëse të 21 janarit, vrasja e demonstruesve, por dhe momente nga varrimet e tyre, duke mos harruar këtu dhe vajtimet e familjarëve të viktimave që humbën jetën në demonstratë.

Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalën e tij në mitingun që hapi zyrtarisht fushatën e opozitës për zgjedhjet e 8 majit, ka ritheksuar se “Aleanca për të ardhmen” është zgjidhja e vetme për qytetarët shqiptarë.

Deklarata

Pas fjalimeve të shumta në këtë takim, mori fjalën kryetari i PS-së, njëherësh dhe kandidati për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kreu socialist, Rama, iu drejtuar të pranishmeve në sallë, si dhe opinionit publik me një fjalim, i cili më së shumti përmblidhte në vetvete synimin e qartë, atë të një kryeministri në të ardhmen. Kjo u pa qartazi në vetë bindjen që shprehu kryetari Rama së pari në fitoren e zgjedhjeve të 8 majit e më pas të zgjedhjeve të reja parlamentare. Madje, duke folur si kryeministër i ardhshëm, Rama premtoi rishikim të taksave, duke u bazuar në të ardhurat për çdo familje. Ndërkohë që gjatë fjalës së tij Rama u ndal dhe në një kundërvënie të ashpër ndaj Kryeministrit Berisha dhe kandidatit demokrat për postin e kryetari të Bashkisë së Tiranës. Madje, ndalur në këtë garë, Rama theksoi se “Saliu dhe Iliri duhet ta dinë se çfarë rrezikojnë në rast se prekin votën më 8 maj, ashtu sikundër nuk do harrojmë asnjë drejtues policie dhe asnjë drejtorie në shtet që do bëjë presionin më të vogël qoftë dhe mbi një votues të aleancës sonë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›