Rama fton Berishën në debat publik

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kërkuar për herë të parë kryeministrit Sali Berisha, një debat publik mbi dhjetë pikat e paktit të tij për integrimin.
“Është koha kur Shqipërisë në udhëkryq i duhet një debat publik, ku Saliu dhe unë duhet të dalim të dy para shqiptarëve që përfaqësojnë dhe të ballafaqojmë ato që ata i dëgjojnë prej nesh veç e veç. Le të vijë e të m’i thotë në sy ato që flet gojështhurur lart e poshtë për bllokimin e vizave, bllokimin e integrimit, bllokimin e reformave dhe le ta debatojmë para shqiptarëve ofertën tonë, pikë për pikë nga 1-shi tek 10-ta”. Jam gati të mbroj ofertën tonë, të tregoj me prova, fakte, shifra të vërtetën e keqqeverisjes së këtyre gjashtë vjetëve, të dëgjoj me vëmendje të plotë kundërofertën nëse kjo ekziston. Shqiptarët pastaj le të na dëgjojnë e gjykojnë”, shkruan zoti Rama.
Kryetari i PS-së Rama shton se oferta e tyre prej 10 pikash është një “shtrirje dore drej palës tjetër për të shmangur një shuplakë tjetër të Europës ndaj Shqipërisë dhe dalë nga rrethi vicioz ku na mban kyçur gjithë politika e vjetër e njëzet vjetëve kacafytje”, raportoi e përditshmja Panorama.
Zoti Rama theksoi se kursi i tyre i ri politik “është rruga drejt përmbushjes së të gjitha ekzigjencave të tyre [qytetarëve] legjitime ndaj nesh” dhe se me këtë kurs ata “do të bëjnë kthesën e madhe drejt Shqipërisë Evropiane duke ndryshuar thellësisht gjithçka në mënyrën se si qeveriset sot vendi, se si pushteti flet me qytetarët, se si komunikohet me palën kundërshtare në opozitë”