Rama fyen Universitetin, mungesë respekti dhe terma fyes për akademizmin shqiptar

Skandali i djeshëm/Kreu i PS-së flet marrëzira në takimin me studentët e ekselencës dhe konsumon një tjetër incident me zëvendësrektorin e Universitetit të Tiranës
Pak orë pas incidentit me një diplomat shqiptar në Austri, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka shënuar një tjetër incident në Tiranë. Gjatë takimit me studentët e ekselencës në Tiranë, i ftuar nga zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës, Edi Rama ka deklaruar se zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve kanë pasur manipulime dhe janë zhvilluar nën kërcënime dhe abuzime të rektorëve.
Kjo deklaratë nuk ka kaluar pa reagimin e zëvendëskretorit, Ervin Demo, i cili ishte dhe pritësi i Ramës në këtë aktivitet. Duke ju referuar deklaratës së Ramës për manipulime në zgjedhjet në universitete, Demo u shpreh se kjo është një e pavërtetë për qarqet universitare. “Me që u prezantova dhe si zëvendësrektor edhe unë jam zgjedhur. Nuk di të kem vjedhur ndonjë votë, jam zgjedhur. Problematika që lidhet me zgjedhjet në Shqipëri. Nëse ne do të gjykojmë që zgjedhjet janë vjedhur në universitet, atëherë duhet të jenë vjedhur për të tërë. Nuk mund të jenë vjedhur për disa dhe disa të tjerë jo. Unë besoj se jo”, tha Demo.
Zëvendësrektori i ka kërkuar kreu të PS-së të jetë më i kujdesshëm me termat, duke pasur parasysh dhe ambientet ku i përdor ato. “Unë besoj se fjala vjedhje është shumë e rëndë, sidomos kur përdoret në një ambient akademik. Unë mendoj se fjala vjedhje, në një ambient akademik tingëllon shumë më e rëndë sesa në një ambient tjetër”, tha Demo.
Pas replikës së zëvendësrektorit kreu i PS-së ka vazhduar të argumentoj idenë e tij, duke deklaruar se ata që mbrojnë idenë se zgjedhjet nuk janë vjedhur në universitete, janë të painformuar. “Për rektorin e universitetit të Tiranës kanë qenë zgjedhje jo të lira dhe jo të ndershme. Kanë qenë zgjedhje të bëra nën presion, kanë qenë zgjedhje të bëra në kushte ku nuk është garantuar pjesëmarrja në zgjedhje e gjithë subjekteve. Nëse dikush më thotë se në zgjedhjet për rektorin e Universitetit të Tiranës nuk ka pasur trysni, nuk ka pasur kërcënime ndaj pedagogëve dhe studentëve, thjeshtë thotë një të pavërtetë që mund të burojë nga mungesa e informacionit”, u shpreh kreu i PS-së, Edi Rama.
Siç edhe kuptohet, kreut të PS s’i ka mbetur sferë tjetër të jetës shoqërore të vendit, pa akuzuar për “vjedhje”, teksa gabimet dhe blofet e politikës së mbrapshtë opozitare, po tenton t’ia njollosë edhe akademizmit shqiptar.