Shtaza e opozitës që kërkon pushtet skandalizon Evropën
Kryetari i opozitës ka tmerruar gjithë të ftuarit në një konferencë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, teksa ka sulmuar fizikisht diplomatin e Misionit të Shqipërisë në Vjenë Egin Ceka. Gjatë gjithë takimit, Edi Rama është shfaqur i acaruar, duke censuruar studentët që i bënin pyetje të padëshiruara. Pas denoncimit të faktit, drejtuesit e Akademisë s’mundën ta përgënjeshtronin skandalin, por u mjaftuan të deklaronin se s’kishin dijeni për të
Kryetari i PS, Rama është përfshirë dy ditë më parë në një përleshje publike me një nga diplomatët, pjesë e Akademisë Diplomatike të Vjenës, ndërsa të pranishëm kanë qenë mbi 100 diplomatë. Gjatë vizitës së tij në Vjenë, Edi Rama është përfshirë në një incident me diplomatin e misionit shqiptar në OSBE, Egin Ceka, pse ky i kërkoi Edi Ramës shpjegime, për qëndrimet fyese dhe të përsëritura që ai adreson ndaj diplomatëve shqiptarë. Gjatë këtij takimi, pjesë e skandalit të Edi Ramës, ka qenë edhe debate tjetër me një student nga Vlora, i cili në tentativë për disa sqarime më shumë nga kreu i PS-së, ka marrë prej tij si përgjigje disa fjalë fyese.
Edi Rama konfrontim fizik me diplomatin shqiptar
Kryetari i PS-së Edi Rama, pjesëmarrës në Akademinë Diplomatike në
ka qenë i ftuar në këtë takim nga Fatmir Velaj, për të mbajtur një fjalim para diplomatëve të shumtë. Fjala e tij ka qenë e zymtë për zhvillimet dhe realitetin në Shqipëri. Pasi ka ofenduar rivalët e tij politikë, ai është kthyer të ofendojë edhe diplomatët shqiptarë. Sipas tij shqiptarët jashtë vendit nuk mund të votojnë nëpër ambasada sepse ambasadat tona sipas tij vjedhin votat.
Ky qëndrim i Ramës ka ardhur pas kërkesave të përsëritura të Kryeministrit Berisha, i cili i ka kërkuar PS që të votojë në Kuvend nismën për të lejuar votën e emigrantëve.
Argumenti i kryesocialistit se trupat diplomatike si përfaqësues të pushtetit, do i vjedhin zgjedhjet, është kundërshtuar prej diplomatit Egin Ceka si një qëndrim fyes ndaj shërbimit diplomatik dhe imazhit të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por Egin Ceka, diplomat shqiptar në misionin tonë në OSBE i ka kërkuar Edi Ramës sqarime në lidhje me këto qëndrime fyese të tij. Nga ana e tij Edi Rama nuk ka preferuar që të japë përgjigje për kërkesën e bërë nga diplomati Egin Ceka, por e ka kapur prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo, e ka goditur më pas në kokë.
Kjo ka sjellë një tensionim dhe sherr të hapur mes Ramës dhe diplomatit Ceka, i cili është pasuar me sharje dhe fyerje. Prezent në këtë sherr skandaloz të kryetarit të PS-së kanë qenë të gjithë të pranishmit e Akademisë Diplomatike të Vjenës. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të ndërhyjnë për të ndarë kacafytjen e Kryetarit të PS me diplomatin. Kjo ka shkaktuar mjaft tension, ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe diplomatë të huaj, të cilët janë skandalizuar nga sjellja e pretendentit për Kryeministër të vendit.
Edi Rama acarohet dhe censuron studentin shqiptar
Gjatë gjithë takimit me Akademinë Diplomatike të Vjenës, Edi Rama ka qenë mjaft i acaruar. Ai ka pasur një debat edhe me një student nga Vlora. Studenti nga Vlora e ka pyetur Edi Ramën se, “për çfarë arsye duhet të të zgjedhim ty në 23 qershor dhe jo Berishën?”.
Përgjigja e Ramës ka qenë jashtë kontekstit të pyetjes dhe kjo ka bërë që studenti të përsërisë pyetjen e bërë në drejtim të Ramës duke i thënë se, “nuk iu përgjigje pyetjes, çfarë ke ti më shumë se Berisha”.
Në këtë moment Rama, i cili në takime të tilla nuk lejon të pranishmit që të bëjnë pyetje, është revoltuar dhe i ka kërkuar moderatorit të takimit që t’i marrë mikrofonin dhe të mos e lejojë që të flasë më.
Situata e Ramës është tensionuar së tepërmi gjatë ditëve të fundit, veçanërisht pas daljes blof të lojës së tij me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai ka humbur ekuilibrin dhe i është rikthyer konflikteve verbale dhe sherreve banale si ai i dy ditëve më parë në Vjenë.