Asambleja e re, nis numërimi i votave. Klosi: Procesi është i vështirë
Partia Socialiste ka nisur dje në mesditë procesin e numërimit të votave të delegatëve të Kongresit, nga ku do dalin 120 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Procesi i numërimit të votave ka nisur në prani edhe të kamerave të medias të hënën në mesditë, pasi të dielën, për shkak të festës së Kurban Bajramit nuk u bë numërimi. Për këtë janë ngritur tri grupe pune me nga shtatë anëtarë secili, dhe siç raportohet nga komisioni i ngritur, numërimi vazhdon intensivisht në katin e dytë në selinë e PS-së, aty ku zakonisht i zhvillojnë punimet kryesia dhe grupi parlamentar. Por për shkak të specifikës së fletës së votimit dhe numrit të madh të kandidatëve që konkurruan, numërimi i votave rezulton të jetë tepër i vështirë, çka ka sjellë për rrjedhojë dhe një zgjatje për disa ditë të nxjerrjes së rezultatit. Një fakt të tillë e pranon edhe sekretari organizativ Blendi Klosi gjatë një interviste të publikuar në faqen zyrtare të PS-së, ku thekson se procesi është i vështirë. “Është një proces relativisht i vështirë. Sa për informacion, u kandidua për rreth 120 anëtarë të rinj të Asamblesë Kombëtare, duke ruajtur normën statutore 30% femra, janë 40 shoqe dhe 80 meshkuj dhe për këto 120 anëtarë të Asamblesë së ardhshme u kandidua mes rreth 170 kandidatura, prandaj dhe fleta e votimit është relativisht e vështirë. Ne kemi në komisionin e votimit përfaqësues nga çdo rreth i Shqipërisë, kemi një trupë shumë serioze që po merret me numërimin e votës. Çdo gjë është transparente, çdo gjë është bërë kujdesshëm për të mos pasur asnjë incident”, - tha Klosi. Ndaj ai nuk ka qenë në gjendje të japë një datë apo afat të caktuar se kur do të dalë rezultati përfundimtar dhe lista e kandidatëve fitues për anëtarë të Asamblesë Kombëtare. “Për këtë është e vështirë të jap një informacion, pasi është një proces që për të hequr çdo diskutim mbrapa, po menaxhohet shumë mirë dhe me shumë kujdes. Më mirë të humbasim pak në kohë, por të kemi rezultat të mirëpranuar nga të gjitha strukturat e PS-së. Ne që kemi luftuar kaq shumë për votën e lirë nuk mund të pranojmë që të kemi problematikë në numërimin e votës sonë”, - u shpreh Klosi.