E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: “Huaja e re e qeverisë i shton çdo shqiptari borxhin me 100 euro”



Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se po rëndon mbi xhepat e qytetarëve shqiptare duke ia rritur borxhin me 100 euro nëpërmjet huas që do të marrë. Sipas Shalsit, nisma e qeverisë për të marrë një hua tregon qartë se ekonomia shqiptare është në gjendje të rënduar. “Sali Berisha ka frikë edhe nga transparenca e ekonomisë, sepse zbardhja e së vërtetës së ekonomisë do t’u tregonte qytetarëve se në ç’derexhe po e katandis ai ekonominë e financat e vendit për herë të dytë në karrierën e tij politike. Pasi dështoi në mënyrë spektakolare me shitjen e eurobondeve në tregjet ndërkombëtare, Sali Berisha po kërkon tani një hua të brendshme, jo për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të ekonomisë, por thjesht për ta shtyrë në kohë përballjen e pashmangshme të financave publike me humnerën që ka krijuar Saliu e Ridvani me politikat e tyre të papërgjegjshme financiare. Dështimi për të shitur eurobondet në tregun ndërkombëtar tregon fare qartë se sa e pabesueshme është qeveria shqiptare si huamarrës. Ky fakt provon më së miri se financat publike shqiptare, ndryshe nga sa thotë kryeministri dhe ministri i Financave, janë vërtet në ditë të hallit. Kjo hua e re që po planifikon Sali Berisha jo vetëm që i shton një borxh të ri prej 100 eurosh çdo qytetari shqiptar, por do të ketë dhe pasoja të tjera jashtëzakonisht negative për ekonominë shqiptare”, - është shprehur deputeti socialist. Sipas tij, në vend që qeveria shqiptare të luajë një rol aktiv në promovimin dhe mbështetjen e kreditimit të biznesit si një parakusht për përballimin e krizës dhe zhvillimin e ekonomisë, Sali Berisha po zgjedh t’i heqë këto fonde nga sistemi bankar duke shteruar kësisoj aftësitë kredidhënëse të bankave. “Biznesit shqiptar sot jo vetëm që i duhet të përballet me efektet e krizës ekonomike që kanë shkaktuar në dy vjet politikat e papërgjegjshme të qeverisë, por gjithashtu i duhet të bëjë llogaritë edhe me konkurrencën e padrejtë e monopoliste të qeverisë shqiptare për fonde. Si gjithnjë, nën sundimin e Sali Berishës, pasojat e rënda të këtyre veprimeve të papërgjegjshme nuk do t’i vuajë as kryeministri e as rrethi i tij familjar e politik. Këto pasoja do t’i vuajnë thjesht e vetëm qytetarët shqiptarë”, - është shprehur Shalsi.

16 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›