Rama i drejtohet kryeprokurores: Çfarë duhet të ndodhë ende që ju të hetoni?Nga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se veriun e vendit nuk e përmbyti Zoti, por njerëzit. Rama tha se kjo qeveri po e çon vendin nga katastrofa në katast
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama i drejtohet kryeprokurores: Çfarë duhet të ndodhë ende që ju të hetoni?Nga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se veriun e vendit nuk e përmbyti Zoti, por njerëzit. Rama tha se kjo qeveri po e çon vendin nga katastrofa në katastrofë.
“I them Sali Berishës mjaft me broçkulla e me yshtje gojësh të shthurura kundër opozitës. Mos krekoset si shpëtimtar dhe as mos akuzojë si i përdalë, se nuk e ka fajin as Zoti e as opozita, që pasi hodhi në erë mijëra shtëpi e familje në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, pasi varrosi edhe qindra miliona euro në tunelin e Kalimashit ku preu një shirit të rremë, i shpëtoi tani edhe uji i mbledhur për arsye që herët a vonë duhet t’ia tregojë drejtësisë dhe po i ndodh Veriut një përmbytje e jashtëzakonshme, e cila nuk mbahet mend qyshse nuk ka ndodhur, megjithëse nuk ra asnjë shi për t’u mbajtur mend.
Opozita po i shërben, siç është në traditën shqiptare e në shpirtin e politikës sonë të re, familjeve të përmbytura dhe nderit të vendit, duke ndërtuar rrjet solidariteti njerëzor në gjithë Shqipërinë e jashtë saj.
Por, edhe duke thënë të vërteta të cilat nuk mund të mbyten dot, as me shpifje e as me sharje ndaj opozitës, as me marrinat e spikeres Jozefinë e tellallëve të Pinokut kryeministër dhe as me ekrane e gazeta që i shërbejnë pushtetit pinok.
Veriun nuk po e përmbyt Zoti po robi.
Veriun po e përmbyt keqqeverisja dhe paaftësia e këtij pushteti, që po e shkatërron vendin nga katastrofa në katastrofë dhe vazhdon të sillet sikur po e çon nga fitorja në fitorje,” tha Rama.
Duke iu përgjigjur deklaratave të mazhorancës se opozita po bën politikë me fatkeqësinë, Rama tha se Berisha përdorte kufomat për të çarë derën e kryeministrisë e për të vënë në flakë institucionet e shtetit.
“Jo, politikë me fatkeqësinë kanë bërë gjithnjë ata, kur ishin në opozitë dhe përdornin kufomat për të carë derën e kryeministrisë e vënë flakën në institucionet e shtetit, për të ndezur qirinj morti në parlament e lëshuar rrufe mllefi ndaj atyre që qeverisnin, për të parë pas çdo fatkeqësie një rast për dhunë, për destabilizim, për nxitje të urrejtjes ndaj nesh, e madje, më keq akoma, të dasisë Veri Jug.
Ne bëjmë politikë me ndjenjën e qytetarisë dhe të së vërtetës, me bindjen se interesat e njerëzve e të vendit janë përpara çdo gjëje e se për nxjerrjen në pah të problemeve ne nuk na ndalon dot asgjë,” tha Rama.
Ai iu drejtua më pas Prokurores së Përgjithshme me një pyetje.
“Zonja Prokurore e Përgjithshme, ne ju kemi mbështetur e do t’ju mbështesim në kryerjen e detyrimeve tuaja kushtetuese, por sot duam të dimë se çfarë duhet të ndodhë ende në Shqipëri që prokuroria të shfaqet në vendngjarje e të nisë hetimin për dëme kolosale të pasurisë publike e private njerëzish me liri e të drejta kushtetuese?
Sali Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta e patolerueshme e kësaj ngjarjeje katastrofike për mijëra familje e për gjithë vendin bashkë me ta, edhe sikur tërë ekranet e gazetat në shërbim të tij të mbushen me reportazhe për ngrohjen globale e për motin e keq në botë me qëllim mbulimin e tërbimit të ujërave të Fierzës për shkak të harbimit të priftit të korrupsionit,” tha Rama.
Kryetari i PS tha se pas kësaj emergjence, do kërkohet largimi i kryeministrit Berisha.
“Për Sali Berishën ora e ballafaqimit me të vërtetat e popullit kishte ardhur përpara kësaj katastrofe. Kjo katastrofë është një arsye madhore më shumë për të kërkuar me forcë, menjëherë pas emergjencës, largimin e tij bashkë me priftin e korrupsionit me ujërat e digave e me tërë të tjerët, që jo vetëm s’janë të zot të garantojnë sigurinë e jetës e të pronës për shqiptarët, po edhe ujin për dritë e kthejnë në ujë për t’u mbyt.”
Priftërinjtë e konvertuar në fenë e korrupsionit
“Ngrohja globale nuk është re e mbledhur mbi një qark të Shqipërisë dhe moti i keq në botë s’kishte pse përmbyste vetëm shtëpitë e shkodranëve.
Aq më pak akoma i shpëton dot Sali Berisha të vërtetës rrëqethëse të deklaratave të panumërta kontradiktore të tij e të priftërinjve e priftëreshave të tija, që janë konvertuar plotësisht në fenë e pushtetit të korrupsionit e të gënjeshtrës dhe janë lëshuar së fundmi rrjedhës së lumit të baltës kundër opozitës, duke predikuar suksesin e madh të qeverisë këto ditë e duke arritur të thonë se kjo qeveri po bën sot atë që s’e kanë bërë dot qeveritë as në Francë, as në Britaninë e Madhe.
Andej mbyllen përkohësisht aeroporte e zihen përkohësisht rrugë nga dëbora, po nuk mbyten toka e bagëti si shekuj më parë dhe as evakuohen njerëz nga shtëpitë se i shpëton qeverisë uji i hidrocentraleve nga kontrolli.”