Pronat, AKKP shton punonjësit
BLEDAR HOTIAgjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave pritet të rrisë ndjeshëm numrin e punonjësve të saj, me qëllim përballimin e fluksit të madh të dosjeve që janë pa u shqyrtuar. Shkrirja e 12 agjencive rajonale do të pasohet me rritjen e numrit të organikës së punonjësve të Agjencisë Qendrore. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, i cili ka në varësi dhe AKKP-në, është duke negociuar me Kryeministrin Sali Berisha, për të përcaktuar numrin e ri të punonjësve, i cili do të merret posaçërisht me 8 mijë dosjet e mbetura pa u trajtuar nga ana e këtij institucioni që kanë të bëjnë me njohje apo kthim dhe kompensim prone. Gjithashtu ky institucion do të merret edhe me zbatimin e ligjeve të tjera, ku përfshihet në proceset e legalizimeve, apo të ligjit tjetër "Për kalimin në pronësi të tokës pa shpërblim". Agjencia është në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ndryshuar nga ana e Kuvendit më 23 dhjetor të vitit të kaluar, në mënyrë që të nisin procesin e shtimit të numrit të punonjësve. Ende nuk është përcaktuar numri i saktë i tyre, por flitet që numri që shtohet të shkojë nga 30-50 veta. Gjithçka do të vendoset pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe nga ku më pas qeveria do të marrë një vendim për shtimin e numrit të punonjësve, ku pjesa më e madhe e tyre do të jenë me profesionin e juristit. Tre javë më parë, Kuvendi miratoi propozimin e qeverisë për t'i dhënë të drejtën Agjencisë së Kthimit të Pronave, shqyrtimin e 8 mijë kërkesave të ish-pronarëve për njohje pronash, pasi i kishte skaduar afati ligjor. Nisur nga kjo situatë e krijuar, qeveria propozoi amendimin e ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave", duke i dhënë mundësi AKKP-së qendrore t'i shqyrtojë këto kërkesa. Brenda dhjetorit 2011, AKKP duhet të shqyrtojë këto kërkesa të paraqitura nga ana e subjekteve të shpronësuara. Pjesën më të madhe të kërkesave e kanë qytetet si Shkodra, Durrësi dhe Fieri, ku ish-pronarët ende nuk kanë marrë përgjigje zyrtare për kërkesat e paraqitura pranë ish-zyrave rajonale të AKKP-së. Ndryshimet ligjore gjithashtu u pasuan dhe me shkrirjen e 12 zyrave rajonale, të ndara më parë si qarqe që ka Shqipëria. Nisur nga ky fakt, aktualisht AKKP-ja me stafin aktual që ka e ka të papërballueshme shqyrtimin e 8 mijë kërkesave sipas afatit të ri ligjor. Gjithashtu mësohet se Agjencia e Kthimit të Pronave pritet të ndryshojë edhe selinë e saj, e cila aktualisht ka dy kate në dy kullat binjake në qendër të Tiranës. Agjencia sipas burimeve do të zhvendoset në një nga godinat shtetërore pranë Inxhinierisë, duke marrë në përdorim tri kate.