“Akti normativ, thellon deficitin buxhetor”
Partia Socialiste ngre shqetësimin e saj për rënien e të ardhurave buxhetore. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se "të ardhurat buxhetore për muajt Tetor-Nëntor kanë rënë kundrejt një viti më parë: përkatësisht minus 1,77 dhe 4,74 miliardë lekë". Shqetësim për Meksin është miratimi i aktit normativ nga ana e qeverisë për ndryshimin e buxhetit. "Thelbi i këtij akti jo transparent (miratuar në mbledhjen e datës 23 dhjetor dhe botuar në gazetën zyrtare të 31 dhjetorit) është rritja përsëri e deficitit buxhetor. Nga 50 miliardë lekë, sipas parashikimit në buxhetin fillestar, (apo 74,7 miliardë lekë pas rishikimeve të buxhetit në muajin tetor), deficiti kapi shifrën e 81,6 miliardë lekëve ose rreth 900 milion dollarë", tha Meksi.