Bojkoti, Harasani: Do presim deri në një kufi logjik dhe do vendosim
Deputeti socialist Andis Harasani tha dje se nuk sheh asnjë reagim pozitiv nga grupi i deputetëve socialistë për lënien e bojkotit. Sipas tij, deputetët e mendimit ndryshe do të vendosin për lënien e bojkotit para djegies së mandatit të tyre. Ai i bashkohet zërave të deputetëve të mendimit ndryshe, të cilët do të futen në Kuvend, pavarësisht vendimit të PS. "Jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të asamblesë së Partisë Socialiste ku do vendoset. Unë dyshoj që do merret vendimi për të hyrë në parlament. Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama ku është kërkuar hapja e kutive dhe nëqoftëse kutitë nuk hapen nuk hyjmë në Parlament. Me logjikë, për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar ky kusht nuk shoh se si mund të hyhet në parlament. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi thënë që do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do vendosim," tha Harasani. Deputeti socialist tha dje se bojkoti nuk arriti asnjë rezultat për PS. "Me bojkot nuk shkohet gjëkundi, kjo është një rrugë e provuar tashmë, e ka provuar Berisha në 1998 dhe nuk solli asnjë rezultat. Kur Berisha ndryshoi sjellje, në atë moment filluan të rriten dhe pikët politike dhe votat për të. Nuk jemi në të njëjtat kushte, sot jemi në 2010 dhe jemi një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për BE", u shpreh Harasani. Sipas tij, në këtë situatë katastrofike, grupi i deputetëve socialistë duhet të ishte në Kuvend. "Ne mendojmë se duhet të ishim në Parlamentin shqiptar për të kërkuar me forcë përgjegjësitë për përmbytjet e zonës së Shkodrës, menaxhimin e fondeve, etj. dhe nuk e besoj se mund të kërkojmë përgjegjësi nga studiot televizive, por duhet të ishim aty në Parlament që të kërkonim llogari për këtë situatë, madje mund të kërkonim dhe një seancë të jashtëzakonshme në Parlament. Kjo gjë ka ndodhur dhe më parë dhe s'kishim pse të prisnim datën 18 janar", u shpreh Harasani. Ish-drejtori i Korporatës Elektro-energjetike shqiptare, tha se qeveria shqiptare duhet të rishikojë menjëherë marrëveshjet hidrike me shtetet fqinje, pasi ato ekzistueset datojnë që në kohën e ish- Jugosllavisë. "Fatkeqësisht është një marrëveshje që është e kohës së Jugosllavisë së Titos, siç quhet, e cila nga ana maqedonase herë respektohet dhe herë jo. Me sa kam dëgjuar është në plan që të rishikohet ajo marrëveshje mes Qeverisë shqiptare dhe asaj Maqedonase dhe të përpilohet një marrëveshje e re, e cila mendoj që duhet të jetë midis 4 shteteve. Tashmë është një realitet i ri në Ballkan dhe kjo marrëveshje duhet të jetë midis Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë", tha Harasani.Ish-kreu i KESH thotë se koorporata nuk mund të evitonte shkarkimet nga hidrocentralet, pavarësisht pasojave që këto sollën. Sipas tij, parlamenti duhet të rishohë buxhetin e 2010-s, duke përshirë dhe faturën e dëmeve.