Rama i kundërpërgjigjet Berishës: Gëzuar 1 prillin!
Akuzave të kryeministrit Berisha për rritje të taksave të biznesit të vogël nga ana e Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Rama i është kundërpërgjigjur me ironi. Rama tha se 1 prilli është dita e Berishës, sepse ai është gënjeshtari më i madh. “Sot është 1 prilli dhe, për fat të keq, kryeministri ynë e ka festë këtë ditë dhe megjithëse në fushën e rrenave, nuk ka Nastradin - Hoxhë që e konkurron Pinok-Berishën, unë i uroj kryeministrit 1 prillin, por edhe i them se nuk ka gënjeshtër që të mban mbi kurrizin e këtij populli, pas 88 ditësh”, - tha kryebashkiaku Rama.
Balla padit Bogdanin për shpifje
Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka depozituar dje në gjykatë një padi në drejtim të ish-zëdhënësit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Deputeti socialist ka paditur Bogdanin për shpifje dhe fyerje. Kjo padi ka marrë shkas nga një deklaratë e deputetit socialist, i cili kritikonte qeverinë se nuk po reflektonte ndaj kritikave të bëra në raportin e Bashkimit Europian. Por kjo deklaratë ka sjellë reagimin e PD-së, me anë të zëdhënësit Bogdani, e cila, ndër të tjera, e ka quajtur deputetin Balla si ish-trafikant të makinave dhe qenieve njerëzore.
2 Prill 2009