E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkeqësohet situata nga zjarret, mblidhet shtabi i emergjencave

27-08-2012 / Gazeta 55

Kukës, zgjerohet harta e vatrave të zjarrit, i favorizon era e fortë

Është përkeqësuar situata e zjarreve në Qarkun e Kukësit, duke zgjeruar hartën e pyjeve të përfshira nga flakët. Erërat e forta pas mesnate dhe pozita gjeografike ku ndodhen këto vatra zjarri,janë dy nga faktorët favorizues për përhapjen e mëtejshme të tyre. Arrni, Surroj dhe Koretniku janë vatrat më problematike. Shtabi i emergjencave civile në prefekturë ka zhvilluar në orët e vona të mbrëmjes një mbledhje të jashtëzakonshme për të hartuar një plan tjetër masash për kufizimin dhe shuarjen e zjarreve, të cilat kanë dalë jashtë kontrollit.
Deri tani në këtë periudhë dy mujore, në Kukës janë shkrumbuar tërësisht më shumë se 230 hektarë me pyje. Policia e Kukësit ka shoqëruar vetëm dy persona të identifikuar si autorë për vënie zjarresh me qëllim. Në orët në vazhdim është parashikuar të ketë disa fluturime me helikopter në zonat problematike, ndërsa janë angazhuar një numër i madh banorësh e punonjës shërbimesh për të vënë nën kontroll zjarret.

Vihen nën kontroll zjarret në Voskopojë, më kritike Dardha dhe Bozdoveci

Janë vënë në kontroll zjarret në masivin pyjor të Voskopojës, falë ndërhyrjes nga ajri me helikopterin turk. Operacion për shuarjen e tyre në qarkun e Korcës filluan në orët e mesditës së hënë dhe do të vazhdojnë përgjatë gjithë kohës derisa të shuhet çdo vatër zjarri në këtë zonë. Drejtuesit vendorë thonë se operacionet nga ajri po ndihmohen dhe nga forcat e terrenit, ndaj situata ka ndryshuar. Por megjithatë ende mbetet kritike gjendja në në parkun kombëtar të Bozdovecit ku flakët e zjarrit kanë përfshirë një pjesë të konsiderueshme të masivit pyjor me pisha dhe bredha. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë flaket kane prekur një sipërfaqe prej me shume se 50 hektarësh. Drejtuesit e shërbimit pyjor thonë se intensiteti i flakëve vijon të mbetet i lartë dukë vënë në rrezik edhe përhapjen e tyre në parkun kombëtar të Dardhës. E vetmja zgjidhje për të vënë nën kontroll situatën mbetet ndërhyrja nga ajri. Ndërkohë policia e Korçës ka arrestuar dy vëllezër që akuzohen për zjarrvënie të qëllimshme në masivin pyjor të Voskopojës.

Haki Hoxha: Gjatë gushtit ka patur 145 ndërhyrje nga ana e zjarrfikësve

Vatrat e zjarrit të shfaqura javën e fundit kanë qenë të rrezikshme për jetën e banorëve por edhe për jetën e punonjësve të zjarrfikësve, ushtrisë e emergjencave civile. Drejtori i shërbimit zjarrfikës të Tiranës Haki Hoxha shprehet se këtë muaj ka patur një dinamikë të madhe të vatrave të zjarrit dhe deri tani është përballuar me sukses.
Hoxha thekson se janë shtuar zjarret në pyje kullota e fshatra ndërkohë që janë pakësuar zjarret në qytete. Vetëm gjatë muajit gusht ka patur 145 ndërhyrje nga ana e zjarrfikësve të Tiranës në lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit të shfaqur.
Sipas Hoxhës të gjitha vatrat e zjarrit të shfaqura deri tani kanë qenë vëna qëllimisht nga grupe dhe qarqe të caktuara.
Ndërkohë kreu i zjarrfikësve të kryeqytetit i bën apel qytetarëve që të mos i vënë zjarrin pyjeve e kullotave pasi do të përballen me ashpërsinë e ligjit.

Vatrat e zjarrit në Dajt dhe në Kërrabë ende aktive

Vatrat e zjarrit në Dajt dhe në Kërrabë vazhdojnë të jenë aktive, por situata e tyre duket të jetë përmirësuar nga ndërhyrjet e helikopterit nga ajri. Situata e zjarrit në Dajt vazhdon të jetë nën kontroll nga shërbimi i pyjor dhe zjarrfikësit por edhe subjekte private të cilat kanë ofruar ndihmën e tyre. Në ndihmë të punonjësve të shërbimit pyjor kanë shkuar dhe rreth 60 forca të ushtrisë, të cilët po bëjnë të mundur izolimin e kësaj vatre të zjarrit. Sipas informacioneve aktualisht nuk po digjen drurët e mëdhenj, por vetëm shkurret dhe bari. Ndërkohë në zonën e Kërrabës janë izoluar vatrat e zjarrit, ndërsa në vendngjarje janë 4 zjarrfikëse në gatishmëri. Në Kërrabë në ndihmë kanë ardhur edhe punonjësit e firmës që po ndërtojnë tunelin në rrugën e Elbasanit.
Aktualisht vatrat e zjarrit janë nën kontroll dhe nuk rrezikohen as banesat e as lokalet që ndodhen në anë të rrugës nacionale të Elbasanit. Në zonën e Kërrabës vatrat e zjarrit janë shfaqur para 4 ditësh. Për shkak të terrenit të thyer në Dajt dhe në Kërrabë nuk ka qenë e mundur ndërhyrja tokësore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›