Rama inspekton punimet për rikonstruksionin e bllokut 61

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka inspektuar gjatë ditës së djeshme punimet që po kryhen në bllokun e banimit numër 61 në kryeqytet, i cili ndodhet pranë zonës së Oxhakut në njësinë Bashkiake numër 4.
Sipas projektit të Bashkisë në këtë bllok banimi, që zë një sipërfaqe rreth 30 hektarë do të ndërhyhet në të gjithë infrastrukturën, rrugë, ndriçim, gjelbërim, krijimin e hapësirave çlodhëse etj.
"Pas shumë përpjekjeve me komunitetin e kësaj zone, për të bërë të mundur së bashku çlirimin e akseve dhe hapësirave, në mënyrë që të vinim tek risistemimi i plotë me rrugë të reja dhe rikonstruksion rrugësh të vjetra, sot jemi në fazën përmbyllëse të një pune realisht të vështirë, por të domosdoshme, në mënyrë që një territor i tërë i përfshirë nga disa lagje të kësaj periferie, të mund të integrohet në Tiranën e re europiane, me rrugë, ndriçim, hapësira të përbashkëta publike, të cilat do t'i rikualifikojmë për t'i kthyer në lulishte e territore sportive për moshat e ndryshme, që secili të ketë pjesën e vet të hapësirës së përbashkët dhe i gjithë ky komunitet realisht i gjerë njerëzish, të mund të jetojë me kushtet që dëshiron dhe meriton", - u shpreh Rama.
Me rikonstruksionin e bllokut 61 Bashkia e Tiranës realizon një tjetër ndërhyrje për sa i përket transformimit rrënjësor të zonave të banimit me interes publik.