Rama intervistë për VOA: Nuk heqim dorë nga hapja e kutive
SHBA- Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë bilancin e partisë së tij në vitin 2009. Sipas kryeopozitarit të pakta janë ndryshimet që do të sjellë 2010 për shqiptarët dhe për vetë socialistët. Rama ka kërkuar edhe një herë hapjen e kutive si të vetmen rrugë të mundshme. “Kërkojmë hapjen e kutive si një element themelor i një procesi hetimi që do të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve të shkuara, jo për t’i korrigjuar por për të mos lejuar që zgjedhjet e ardhshme të deformohen njësoj sic u deformuan në të shkuarën dhe ketu nuk ka asgjë që e pengon parlamentin që është sovran për të vepruar shpejt dhe drejt e në thelbin e cështjes duke hapur kutitë”, u shpreh Rama. Ndërsa kompromisin me Berishën, Rama e cilësoi si të pamundur, pasi sipas tij nuk mund të shkelë një komromis tjetër që ka bërë me qytetarët shqiptarë, për kthimin e votës së vjedhur.“Kompromisi në vetvete nuk mund të jetë një marrëveshje e aq më pak një pazar në dëm të asaj që duke e gjykuar kështu, ju mund ta quani pala e tretë, por në fakt ajo është pala që unë besoj se përfaqësojmë në këtë beteje, që është populli shqiptar, qytetarët dhe qytetaret e këtij vendi, të cilët nuk duhet të ndjehen viktima të asnjë lloj “kompromisi” që nuk do zgjidhte një herë e mirë problemin e zgjedhjeve”, tha Rama. Gjatë intervistës Rama u ndal të analizojë edhe sistemin e drejtësisë duke e krahasuar me një sistem sa arkaik aq edhe të pareformuar, mbi të cilin ushtrohet trysnia e pushtetit. “ Pa asnjë dyshim kemi një sistem drejtësie i cili nga një anë është ende shumë arkaik dhe i pareformuar dhe nga ana tjetër është në deformim të vazhdueshëm për shkak të një presioni barbar që bëhet mbi të. Dhe mohimi që ju bë të drejtës së partisë më të madhe në vend, për të hapur kutitë e votimit bazuar në ligj, është mohimi i një të drejte që simbolikisht i bëhet cdo ditë, cdo qytetari që jo vetëm s’është një parti dhe nuk ka një parti mbrapa, por është ai anonimi i ditës që e pëson në kurrizin e tij këtë sistem drejtësie të deformuar tërësisht. Shqipëria e sotme është një hapësirë ku ligjin nuk e bën vetë drejtësia që jep drejtësi por e bën arsyeja e forcës e ushtruar nëpërmjet abuzimit të përditshëm e deri të skajshëm të pushtetit”, u shpreh Kreu socialist. Në fjalën e tij Rama nuk ka ngurruar të përmendë edhe krizën ekonomike që po përjeton vendi. Urimin e tij për vitin e ri e lidhi pikërisht me këtë krizë, që shqiptarët ta kalojnë sa më parë. “Viti i ardhshëm do të jetë një vit, i cili përvec gjithë halleve të tjera me të cilat qytetarët kanë vite që bashkëjetojnë dhe fatkeqësisht ende nuk i zgjidhin dot, do të ketë edhe hallin e madh të një krize ekonomike, të pranuar së fundi edhe nga INSTAT ”, u shpreh Rama, ndërsa uroi që, “kjo krizë të kalojë me sa me më pak pasoja ashtu sikundër uroj me gjithë zemër që kriza politike e cila thellohet dita ditës të sjellë sa më pak dhimbje në një proces i cili duhet të marre sa më parë rrugën e arsyes por që fatkeqësisht vazhdon të jetë peng i mosarsyes.”(m.a/BalkanWeb)