E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi në facebook jo më pak se 200 mijë”

25/04/2011  Kandidati i mazhorancës qeverisëse takim me studentë dhe të rinjtë e ish-Bllokut

Zhvillohet “Universiada”, Basha premton kthimin e garës në një traditë

Lulzim Basha, kandidati i koalicionit të djathtë “Aleanca për qytetarin” për Bashkinë e Tiranës, e ka kaluar përkrahësin e 200-mijtë në faqen e tij zyrtare në rrjetin social facebook. Dje ai gëzonte përkrahjen e 207 864 qytetarëve shqiptarë, përballë shifrës prej 94 862 përkrahësve që gëzonte deri dje rivali i tij për bashkinë e kryeqytetit, kandidati i “Aleancës për të ardhmen”, Edi Rama. Ndërsa kandidati i tretë, Hysni Milloshi, ka arritur të sigurojë vetëm 42 mbështetës në këtë rrjet social, që përgjithësisht frekuentohet nga të rinj shqiptarë. Mbështetja në masë në facebook e kandidatit Basha nga një numër i madh të rinjsh është e lidhur me vendin e veçantë që vetë ai u ka dhënë politikave ndaj kësaj kategorie në programin elektoral. Shifrat rekord janë konfirmuar nga vetë kandidati gjatë një takimi që zhvilloi dje me të rinj kryeqytetas. “Kemi një aspekt që është gati për Tiranën evropiane dhe kjo është rinia moderne evropiane, që e do Tiranën me gjithë zemër dhe që sonte kjo rini, ja ku jemi realë, nuk jemi virtualë. Që prej sonte jemi në facebook jo më pak se 200 mijë”, tha Basha. Ai u është bashkuar të rinjve për një kafe në zonën e ish-Bllokut frekuentuar më së shumti prej tyre. Basha ka bashkëbiseduar me ta jo vetëm për programin si kandidat për kryetar bashkie, por ka shuar kureshtjen edhe për pyetje me karakter personal si për angazhimin tij në sport, por edhe për vëzhgimin e zgjedhjeve pluraliste. Kandidati i mazhorancës qeverisëse, Basha, i është përgjigjur gjithashtu pozitivisht ftesës së të rinjve për tu bërë pjesë e një feste të organizuar prej tyre. Pak më herët Basha ishte i pranishëm në finalen e “Universiadës”. Në aktivitetin e njohur me këtë emër morën pjesë 14 universitete publike dhe private nga e gjithë Shqipëria, të cilat garuan mes tyre në sporte të tillë, si: atletika, minifutbolli, basketbolli, volejbolli apo pingpongu. “Universiada” u fitua nga universiteti i Sporteve të Tiranës, duke lënë në vend të dytë universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ndërsa në vend të tretë doli universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës. Duke uruar kampionët, Basha garantoi se nën drejtimin e tij Bashkia e Tiranës do të financojnë gara sportive por jo vetëm mes shkollave të Tiranës. “Ne do ta mbështesim fuqishëm këtë aktivitet, në mënyrë që ai kthehet në një traditë të përvitshme me mbështetje të Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut tuaj të ardhshëm. Studentët e këtij universiteti të mrekullueshëm kur të mbarojnë dhe do të kenë diplomat e tyre, do të kenë po kështu me dhjetëra ambiente të reja sportive, palestra të mrekullueshme si kjo për të kryer aktivitetet e tyre, për tu dhënë qytetarëve të Tiranës cilësinë e jetës”, tha Basha. Tradita e universiadave në botë është e hershme dhe për herë të parë një veprimtari e tillë është organizuar në vitin 1923 me emrin “Kampionati Ndërkombëtar i Universiteteve”, ndërsa emri i tanishëm, “Universiadë”, nisi të përdorej që nga viti 1959 në lojërat e Torinos në Itali.

Premtimi i Bashës

“Do ti pajis studentët me kartën e Bashkisë së Tiranës, si dhe do të ngre një fond special bursash. Bashkia do të përcaktojë vetëm si fillim, vetëm gjatë vitit të parë 500 bursa për studentët në nevojë. Faqja ime në facebook nuk është deri me datë 8 maj, por vlerën e vërtetë të komunikimit midis jush dhe kryebashkiakut do ta ketë duke filluar nga data 9 maj.”

Programi për të rinjtë shqiptarë

Punësimi i të rinjve përbën aktin e dytë si kryebashkiak të kandidatit Basha. Për këtë ai ka premtuar krijimin e një task-force për punësimin, me qëllim që shumë të rinj që mbarojnë studimet të mos e kenë vështirë të gjejnë një punë në profesionin e tyre. Bashkia do ti ndihmojë këta të rinj duke financuar një program stazhi, që do ti afrojë ata me sektorin privat dhe do ti pajisë me përvojë pune në profesionin e tyre. 70 për qind të atyre që kryejnë stazhe të tilla iu ofrohet punësim i përhershëm në sektorin privat, dhe ne e kemi për detyrë të bëjmë gjithçka për punësimin e brezit të ri. Basha në programin e tij ka parashikuar gjithashtu internet falas për të rinj, nxënës e studentë, jo vetëm në shkolla, por në të gjithë territorin e qytetit. Gjithashtu, duke qenë se Tirana është qyteti i parë universitar i Shqipërisë, bashkia do të krijojë mundësitë që Tirana të presë dhe të mbajë në gjirin e saj, me të gjitha kushtet dhe infrastrukturat, më shumë se 100.000 studentë. “Një Bibliotekë Universitare e Tiranës, është premtimi im konkret për Tiranën kryeqytet universitar”, ka premtuar Basha.

Kryeministri vijon prezantimet e kandidatëve të koalicionit në Devoll dhe Përrenjas

Berisha: “Rruga jonë është rruga e Zotit”

“Rama po e çon Partinë Socialiste drejt një fundi të merituar”

Kryeministri Berisha, në vijim të axhendës së takimeve elektorale u takua dje me qytetarë të Devollit dhe të Përrenjasit, ku prezantoi dhe shprehu mbështetjen për kandidatët e koalicionit të djathtë, respektivisht Valter Miza dhe Bajazit Karriqi. Kryeministri gjatë fjalës së tij garantoi qytetarët se investimet në këto dy bashki do të shumëfishohen, si dhe do të bëhet çdo investim që nxit agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve të kësaj zone. “Në Devoll nuk do të ketë as edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar, fshatrat dhe qyteti do të kenë ujë 24 orë dhe shkolla moderne të standardeve evropiane në të gjithë zonën tuaj. Do të bëjmë gjithçka për të nxitur agrobiznesin, përpunimin dhe tregun e prodhimeve tuaja, do të bëjmë gjithçka për të tërhequr investime të mëdha në qytetin tuaj. Ndaj është rasti të ftoj të gjithë devollinjtë të bashkohen në nismën tonë, të bashkohen në alternativën tonë”, u tha devollinjve kreu i qeverisë. Ndërsa banorët e Përrenjasit i garantoi se në katër vitet e ardhshme nga qeveria do të mbështetet çdo projekt që ndryshon dhe zhvillon Përrenjasin, do të asfaltohet çdo rrugë, do ndërtohet e rindërtohet çdo shkollë, ujësjellës e sistem kanalizimi, në rrethin e Librazhdit. Ai veçoi ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me katër korsi dhe tunelin 2.4 kilometër, që do të shkurtojë me 50 minuta distancën me kryeqytetin. Krahas alternativës së mazhorancës, ai përmendi edhe atë të kundërshtarit të tij politik, Edi Rama, një alternativë që sipas Berishës nuk e meriton askush. “Është edhe alternativa që një herë nisi si alternativa Fajin e ka Saliu, herën tjetër bitisi rruga e vetmisë dhe në fund do ta shohim fundi i ri i zotit Edi Rama. Por cila ishte për secilin prej jush, këto katër vjet, alternativa e rrugës së vetme? Ishte një përpjekje e jashtëzakonshme për të shkelmuar mbi votën tuaj, për të bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO, vizat tuaja në kuti, rritjen e rrogave e pensioneve, projektet e mëdha infrastrukturore, për të votuar kundër çdo ligji, përpjekjeje e amnistie të bërë në interesin e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Rruga e Ramës

“Në rrugën e lirisë secili ka rrugën e tij, ndërsa për shokun Edi Rama rruga e vetme është vetëm kryetar bashkie, sepse te bashkia ka lugën e artë; vetë kryetar qeverie, sepse te kryeministri ka ëndrrën e artë; nuk do ti plotësohet ndonjëherë. Rruga e vetme është kryetar partie, sepse te partia ka peshkun e artë, i cili po e çon të sigurt drejt një fundi të merituar.”

Rruga mazhorancës

“Rruga e vetme për shqiptarët është një: rruga e Zotit. Atij ne i falemi dhe i lutemi. Por Zoti vetë, këtu në tokë i ka dhënë secilit rrugën e tij. Rrugën, me të cilën ai me mundin, dinjitetin, përkushtimin ndërton jetën e familjes dhe të ardhmes së tij. Ndaj edhe ne, në rrugën e lirisë, jemi të vendosur të ecë gjithsecili në rrugën e tij, duke shfrytëzuar lirinë, dashurinë e saj.”

Kreu i LSI-së tur takimesh në Pogradec

Meta bashkëbisedim me banorët për problemet

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është ndalur sërish në Pogradec për marrë nga qytetarët opinione dhe mendime sesi mund të qeveriset më mirë qyteti i tyre. Në këtë mënyrë ai është përballur nga afër me problematikat që shoqërojnë qytet turistike. Por gjatë komunikimit me banorët Meta ka bërë apel që qytetarët e Pogradecit të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Luan Topçiu. “Qyteti i Pogradecit ka nevojë për një menaxher të mirë, ashtu sikurse është Topçiu, sepse si biri i këtij qyteti ai ka një vizion të mirë dhe të qartë për ti kthyer vlerat qytetit të Lasgush Poradecit”, u shpreh Meta. Sipas tij, kandidati i së djathtës përfaqëson axhendën e koalicionit për integrim, e cila konsiston në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë, në rritjen e eksporteve shqiptare, në zhvillimin e gjithanshëm social, në çuarjen e Shqipërisë më afër Evropës. Pogradeci ka nevojë për një kryetar bashkie, i cili në radhë të parë të vendosë interesat e qytetarëve dhe jo ato të tij, sikurse ka ndodhur deri tani”, vijoi Meta.

PDIU takim elektoral në njësinë nr. 9

“Shërbim më të mirë në dobi të komunitetit”

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë takimit elektoral me banorët e njësisë bashkiake numër 9 ka nënvizuar objektivin e kësaj force politike, që synon një administrim dhe shërbim më të mirë në dobi të komunitetit. Dhe këtë, siç tha Idrizi, do ta realizojë me kandidatët më me integritet dhe vizion të qartë për qeverisjen lokale, të përzgjedhur për të fituar zgjedhjet lokale të 8 majit. “Me anë të këshilltarëve të saj, kjo forcë politike do të bëjë të mundur një ndarje administrative më të mirë në shërbim të qytetarëve duke implementuar një ligj për urbanistikën, i cili do të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm për Tiranën. Raporti i numrit të këshilltarëve me numrin e popullsisë do të jetë gjithashtu një nga vektorët e rëndësishëm në punën tonë”, theksoi ai, duke premtuar gjithashtu një vëmendje të plotë edhe për një kategori sociale siç janë jetimët, duke u dhënë atyre mundësi më të mira në komunitetin ku jetojmë. Ndërsa Presidenti i Nderit, Tahir Muhedini, bëri thirrje për një përfaqësim sa më të madh të PDIU në këto zgjedhje.

Kthimi i tre shtesave çam, reagon PDIU

“Tirana zyrtare të reagojë për incidentin”

PDIU reagoi dje ndaj kthimit mbrapsht të tre të moshuarve çamë në kufirin shqiptar, duke i bërë thirrje shtetit grek që të ndryshojë qëndrimin dhe të përqafojë parimet e BE-së, duke e cilësuar këtë akt të patolerueshëm për një shtet evropian siç është Greqia. Kjo parti denoncoi rastet e kthimit në kufi të Avdul Sulejmanit, lindur në Varfanj të Gumenicës në vitin 1933; Myfit Rakipit, lindur në Sklavë të Filatit në vitin 1935 dhe Sulltane Bajramit lindur në vitin 1940. Gjithashtu, PDIU i bëri thirrje edhe ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe trupit diplomatik shqiptar që të reagojnë ndaj këtyre rasteve dhe ti japin fund heshtjes kur shkelen të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Partia e çamëve kërkon që situata të tilla të mos përsëriten më, në të kundërt do të përshkallëzojë qëndrimet e saj. “Në rast përsëritjeje të këtyre incidenteve, PDIU është e detyruar të përshkallëzojë reagimin e saj nëpërmjet protestave masive dhe thirrjes ndaj qytetarëve shqiptarë që të bojkotojnë çdo produkt grek në tregun vendas”, theksohet në deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›