Shkodër, 40 viktima nga aksidentet rrugore
Sipas shefit të qarkullimit rrugor, Bonaj, shifrat janë alarmante dhe më të lartat në vitet e fundit
Gjatë këtij viti 101 aksidente dhe mbi 120 të plagosur. Shkak, mungesa e sinjalistikës dhe rrugët në gjendje skandaloze
Shkodër- Situatë alarmante në drejtim të rrugëve rurale në qarkun e Shkodrës, si pasojë e amortizimit të madh të tyre, mungesës së mirëmbajtjes dhe mungesës së sinjalistikës rrugore. Kjo është pohuar dje në një takim për sigurinë rrugore të zhvilluar në zyrën e prefektit të qarkut Shkodër. Takim, në të cilën u raportuan shifra të frikshme të aksidenteve rrugore dhe viktimave si pasojë e tyre. "Që nga fillimi i këtij viti janë 101 aksidente rrugore të ndodhura në këtë qark me pasojë vdekjen e 40 personave, plagosjen e rëndë të 20 të tjerëve dhe plagosjen e lehtë të 102 shtetasve të tjerë",- u theksua në takim. Sipas përfaqësuesve të policisë, kjo shifër është më e larta e viteve të fundit në këtë qark.
Akset e rrezikshme
Shefi i qarkullimit rrugor pranë drejtorisë së policisë Shkodër, Dritan Bonaj, ka pohuar se gjendja e rrugëve rurale, qofshin këto dhe segmente të akseve rrugore nacionale ku ka mjaft lëvizje automjetesh është e rëndë. "Mungon thuajse krejtësisht sinjalistika vertikale e horizontale, ndërsa rrugët paraqesin dëmtime të shumta që bëhen pastaj shkak për aksidente automobilistike",- tha ai. Bonaj, ka numëruar problemet pa fund të segmenteve rrugore, duke kërkuar ndërhyrje. Kështu në segmentin rrugor Bushat-Qafë Laç, mungon sinjalistika vertikale e horizontale; në aksin rrugor Vau Dejës-Koman dhe QafLaç-Qaf Qelë, përveç mungesës së sinjalistikës ka probleme me kanalet kulluese të këtij aksi, të cilat janë të bllokuara nga shkarjet e dherave dhe rruga është jashtë çdo lloj parametri të pranueshëm. "Aksi rrugor Shkodër – Pukë- Fushë Arrës ku ka një numër të madh kthesash të forta, mungon sinjalistika dhe në to nuk shihet asnjë tabelë që tregon se ka kthesë",- tha më tej ai. Aksi rrugor i Dukagjinit, sipas Bonajt nuk mund të quhet më i tillë. "Aty është tepër e vështirë që të lëvizin normalisht automjetet",- tha ai.
Mungesa e mirëmbajtjes
Mungesa e hedhjes së skorjeve e kripës në zonat malore, ka qenë një tjetër pikë ku janë ndalur specialistët. Nga ana e drejtorisë së rrugëve, rurale është pohuar se ka dy ditë që ka filluar të hidhet kripë e skorje në këto zona dhe për këtë kanë vënë në dispozicion të mjeteve. Por, drejtuesit e sektorit të qarkullimit rrugor në Shkodër e Pukë kanë ngritur zërin për mungesën e mirëmbajtjes së rrugëve. "Rrugët janë gjithë gropa, shkak për aksidente tragjike",- thanë ata, duke kërkuar nga firmat mirëmbajtëse, të tregojnë kujdes, ndryshe shifrat e aksidenteve do të shënojnë rritje. Nga ana e drejtorisë së rrugëve rurale nuk është bërë evidentimi i mjeteve borëpastruese që do të përdoren, ndërsa pushteti vendor është përgjegjës kryesor për mungesën e bashkëpunimit me strukturat e qarkullimit rrugor në drejtorinë e policisë Shkodër, lidhur me sinjalistikën e domosdoshme për akset rrugore. Policia (si u theksua në takim) përcakton vendet ku duhet vendosur sinjalistika vertikale e horizontale, ndërsa është detyrë e pushtetit vendor që t'i vendosë ato. Mungesa e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe policisë rrugore shihet edhe në drejtim të kërkesave pranë dikastereve përkatëse për thithje fondesh për investime në rrugë dhe në sinjalistikë.