Ngjela, Ndoka dhe Zogaj sot takojnë Topin në Presidencë

Tiranë, 15 shkurt, NOA Pas takimeve të ditëve
të fundit që ka patur me përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë, si
edhe atë me dy liderët kryesorë politikë, Rama dhe Berisha, presidentin Topi
sot e pret një takim i ri me politikanë të tjerë në vend. Bëhet fjalë për kreun
e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka; kryetarin e Partisë për Ligj dhe Drejtësi,
Spartak Ngjela si dhe politikanin Preç Zogaj, të cilët kanë caktuar që të kenë
sot një takim me kreun e shtetit, Bamir Topi në Presidencë.
Bëhet e ditur paraprakisht se takimi u kërkua
nga vetë tre politikanët dhe se tema e bisedës pritet të jetë kriza politike në
vend.
Dihet se ata tashmë i përkasin atij që quhet
Fronti opozitar dhe se kundërshtojnë idenë e moshapjes së kutive të votimit
nga kryeministri Berisha.
Në këtë pikëpamje, ata mbrojnë kërkesën për
hapje kutish, të bërë nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kërkojnë
që Topi të ndërhyjë për një fakt të tillë.
n.e/NOA