E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dënuarit VIP që lidhën kurorë në qelitë e burgut

15/02/2010  Realizimi i martesave në burg dhe përfitimet e takimeve speciale me gratë
TIRANË- Lidhja e kurorës në burg u ka siguruar të dënuarve VIP një jetë të dyjëzuar mes hekurave të qelisë dhe dhomës së takimeve speciale, ku të paktën ato herë të rralla u kanë dhënë një sens pozitiv jetës së tyre. Vetëm vitin e kaluar dy emra të shumëpërfolur politikisht e të skeduar nga policia si “gjeneral” Nehat Kulla dhe Zani Çaushi lidhën kurorë në burg. Sakaq edhe Alket Rizai, shqiptari që u arratis dy herë në mënyrë spektakolare nga burgjet greke, është martuar me të dashurën. Leonard Zakja, i dënuar për vrasjen e një polici ka lidhur gjithashtu kurorë në burg pak muaj më parë. Në historinë tashmë 19-vjeçare të tranzicionit s’kanë munguar ku çudirat me të burgosur si arratisjet e herëpashershme, revolta për çdo vit dhe vetëvarje në qeli, por autoritetet e Drejtorisë së Burgjeve janë bërë dëshmitarë edhe të ceremonive martesore, të cilat përbëjnë momentet më të lumtura për të burgosurit. Statistikat flasin për dhjetëra martesa në ambientet e brendshme të qelisë, teksa burime jozyrtare nga Drejtoria e Burgjeve thanë se ndër vite të paktën nga 1993 numërohen të paktën 40 martesa në burg, ndërsa gjithsej të burgosur të martuar para se të hynin në qeli numërohen me qindra. Kësisoj në listë përfshihen të dënuarit për vrasje dhe krime të tjera të rënda si trafiqet në sasi të mëdha droge, armësh apo njerëzish.
Ideja e realizimi i martesave
Duke iu referuar avokatëve që mbrojnë interesat e të burgosurve që janë martuar në burg, mësohet se ata janë shtyrë për këtë veprim nga miqtë e tyre që e kanë kryer më parë lidhjen e kurorës. Duke parë që menjëherë pas martesës shtohen edhe takimet speciale në qeli të posaçme, edhe personazhet VIP kanë vendosur të bëjnë një veprim të tillë. Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve i evidenton, në një regjistër të veçantë, faktet e lindjeve, martesave apo vdekjeve të ndodhura në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me burgim, si dhe informon autoritetet përgjegjëse, për të bërë shënimet përkatëse në regjistrin e posaçëm të gjendjes civile, në të cilin nuk pasqyrohet statusi i personit si i burgosur. Drejtoria e institucionit duhet të njoftojë menjëherë autoritetet gjyqësore, zyrën përkatëse të gjendjes civile, familjarët dhe Drejtorinë e përgjithshme të Burgjeve për çdo ndryshim të gjendjes civile. Kësisoj, veprimet kryhen të koordinuara mes Drejtorisë së Burgjeve dhe gjendjes civile.
“Gjeneral” Nehati merr gruan e jetës
Më 7 prill të vitit 2009 martohet në burg Nehat Kulla. Personazhi i konsideruar si i forti i Tiranës në vitin 1997 ka kurorëzuar martesën, ndërsa vuan dënimin me 20 vite në qelitë e burgut të Fushë-Krujës. Autoritetet e burgut thanë se Nehat Kulla, i dënuar me formë të prerë, ka vendosur të kurorëzojë zyrtarisht martesën me personin me të cilin jetonte prej rreth 12 vjetësh. Bëhet fjalë për gruan me të cilën “Gjenerali” ka lindur fëmijët, por që nuk kishte bërë ende celebrim. Burime nga burgu sqaruan se ceremonia është zhvilluar në qelitë e Fushë-Krujës. Celebrimi ka qenë një procedurë formale, ndërsa Nehat Kulla dhe bashkëshortja e tij kanë pohuar para punonjësve të gjendjes civile se pranonin të lidhnin martesë mes tyre. Pas celebrimit të pranishmit kanë marrë pjesë në një “festë” të thjeshtë të organizuar nga i dënuari Kulla. Në tetor të vitit 2005, u arrestua nga forcat speciale, për vrasjen e Halim Gjuzit, shoferit të ish-ministrit të Brendshëm Halit Shamata.
Zan Çaushi kurorë me Arianën
Më 6 janar të vitit 2009, Myrteza Çaushi, i cilësuar si “lideri” i Bandës së Çoles në Vlorë u martua me vajzën matjane Ariana Panxha, banorë e fshatit Vinjoll, komuna Lis. Për Zani Çaushin vazhdon gjykimi për akuza të tjera në gjykatën e Tiranës. Mbyllja përjetë në qeli nuk e ka penguar aspak djalin e lagjes “Çole” të gjejë njeriun e zemrës. Lidhja e hershme mes Zanit dhe vajzës simpatike me origjinë nga Veriu u kurorëzua në burgun e Burrelit. Pas rigjykimit të ngjarjeve të ‘97-ës, të organizatës kriminale të drejtuar nga Myrteza Caushi në Vlorë, Prokuroria kërkoi deklarimin fajtorë dhe dënimin me 102 vjet burg në total për 5 të pandehurit e mbetur të kësaj bande. Para se të kërkoheshin masat e dënimit për secilin të pandehur, vetë Myrteza Caushi kërkoi pafajësi para togave të zeza, duke rrëzuar pretendimet e prokurorit. “Nuk kam kryer krime në vitin 1997, por kam mbrojtur Vlorën nga personat e armatosur”,-ka thënë Zani Çaushi në gjyq.
Rizai i arrative, martesë me greke
Pas nëntë vitesh ndjekje të pafund nga forcat speciale EKAM nëpër vende të ndryshme ku fshihej dhe me gjithë arratisjet kinematografike, Alket Rizai ka vendosur më në fund të martohet me të dashurën e tij, Sulën. Në një intervistë për kanalin Alpha, Sula vërtetoi se do të martohen në Koridhalo me martesë fetare. Për momentin që e kapën, Sula tha se Alketi donte të vriste veten, por ajo e ndaloi. Kur u pyet Sula përse preferoi të jetë në krah të një burri që kërkohet nga policia, ajo tha në mënyrë kategorike: "Flet dashuria. Më do shumë ashtu siç e dua edhe unë". Për tre vjet kanë arritur të arratisen dy herë nga burgu i Sigurisë së Lartë të Athinës. Shqiptari Alket Rizai dhe greku Vassilis Paleokostas mësohet se i kanë shpëtuar prangave. Arratisja spektakolare ka pasur të njëjtin skenar me atë të vitit 2006. Dy të dënuarit me nga 25 vjet burg janë arratisur me helikopter, teksa Rizai u kap pas disa ditësh kërkimesh intensive nga ana e policisë greke.
Vrasësi i kushëririt “dasmë” në burg
Behar Molla, 23-vjeçari nga fshati Zall Gjoçaj i rrethit të Matit është dënuar me 23 vite burg për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Molla akuzohet se ka vrarë më 28 shtator 2004, kushëririn e tij Gëzim Molla. Të afërmit e Beharit kanë “negociuar” me një vajzë mjaft të bukur, që ka pranuar të martohet me djalin matjan, i cili vazhdon ta konsiderojë veten të pafajshëm.
Studentja e psikologjisë bëhet nusja e hajdutit
Xhevahir Çupi, i dënuar me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes me armë” është martuar me një vajzë nga Fieri, studente në degën e Psikologjisë. Sipas burimeve të burgut, 30-vjeçari vizitohet herë pas here nga bashkëshortja e tij, një vajzë simpatike dhe mjaft korrekte. Autoritetet e burgut sqarojnë se Çupi është një i dënuar, që sillet mjaft mirë si me punonjësit e administratës së burgut, ashtu dhe me bashkëvuajtësit në qeli.
Leonard Zakja kryen celebrimin
I dënuari për vrasjen e policit martohet në burg
Dënimi me 25 vjet burg për vrasjen e policit Lulzim Sadikaj, nuk e ka trembur aspak 35-vjeçarin Leonard Zakja, por përkundrazi duket se shpresën për t’i jetuar vitet me optimizëm e ka gjetur tek bashkëshortja e tij e re. Kështu, nga mesi i dhjetorit të vitit 2009, Leonard Zakja ka lidhur kurorë martese në burgun e Fushë-Krujës, ku vuan dënimin. Bashkëshortja quhet Dorela dhe të dy duket se i kanë premtuar njëri-tjetrit lidhje martesore. Lajmi mësohet nga burime pranë Drejtorisë së Burgjeve, të cilat thanë se nëpërmjet pajisjes së avokatit me një prokurë të posaçme, Leonard Zakja, vendosi të kryente procedurat e celebrimit në gjendjen civile nr 2 të kryeqytetit, duke rezultuar tashmë i martuar me shtetasen Dorela Zakja. Sipas të dhënave të policisë së Tiranës, ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë ish- efektivi i policisë, ka ndodhur më 3 maj 1998, rreth orës 17 00, në rrugën "Kongresi i Manastirit", në Tiranë, ku Sadikaj, i shpallur Dëshmor i Atdheut, u qëllua për vdekje me armë nga shtetasi Leonard Zakja. Autori i vrasjes së ish-policit, Lulëzim Sadikaj, u shpall fajtor nga Gjykata e Apelit në Tiranë, duke u dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim, dënuar më 14 qershor 2001. Leonard Zakja, i cili u shpall fajtor për vrasjen pas kryerjes së krimit, është larguar në drejtim të Italisë, nga ku u ekstradua nga ky vend më 8 qershor 2009, për të vuajtur dënimin që kishte marrë. Tashmë Zakja vuan dënimin në burgun e Fushë-Krujës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›