Pasuritë, bojkoti i PS-së shkakton ngërç me deklarimin e deputetëve
Situata
Deputetët e selisë rozë nuk i kanë mbyllur detyrimet pranë Inspektoratit të Lartë
Bojkoti i Kuvendit nga deputetët e Partisë Socialiste ka krijuar një ngërç sa i takon detyrimit të tyre për deklarimin e pasurisë. Data 31 mars është afati i fundit kur të gjitha subjektet deklaruese plotësojnë formularët e të ardhurave vjetore. Diçka e tillë nuk ka ndodhur ende me ligjvënësit e selisë rozë. Kuvendi duhet të kishte dorëzuar emrat e deputetëve socialistë në inspektorat, çka do të përkonte me fillimin e afateve ligjore.
Neni 3 i ligjit “për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” thotë se mbartin detyrimin për deklarim në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, mes të tjerash edhe Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat. Subjektet e përcaktuara në ligj detyrohen të deklarojnë në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe brenda datës 31 mars të çdo viti, gjendjen deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës të pasurive, burimet e krijimit të tyre, si dhe të detyrimeve financiare. Në rastin e deputetëve të rinj të Partisë Socialiste situata ngjan më e komplikuar. Nëse këta ligjvënës do të deklaroheshin si ish-deputetë, atëherë ata duhet të dorëzonin formularët e pasurisë menjëherë pas largimit nga detyra, pra në shtator të vitit të shkuar, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të ri.
Ata duhet të plotësonin deklaratën e interesave private pas largimin nga funksioni. Sakaq, deputetët e rinj duhet të plotësonin formularin e interesave private pas marrjes së detyrës së re. Në nenin 9 të ligjit thuhet se të gjitha subjektet e përcaktuara, që mbartin detyrimin për deklarim, duhet të deklarojnë para fillimit të punës të gjitha pasuritë e akumuluara, detyrimet financiare dhe burimet e origjinës së tyre. Statusi ligjor i deputetëve në raport me të qenit apo jo subjekt deklarimi varet nga informacioni që dërgon Kuvendi i Shqipërisë drejt Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Statusi ligjor që kanë të zgjedhurit e Partisë Socialiste nga procesi i 28 qershorit ishte objekt polemikash edhe pak kohë më parë.
Disa prej tyre kërkuan nga Kryetarja e Kuvendit përmes një letre publike që të cilësoheshin si ish-deputetë ose deputetë. Rrjedhimisht ata duhet të paguheshin nga Kuvendi me një pagë të ish-deputetit, ose do të trajtoheshin financiarisht si deputetë të rinj. Diçka e tillë nuk u sqarua zyrtarisht dhe deputetët që prej shtatorit, kur u konstituua Kuvendi, nuk marrin pagat e tyre mujore dhe asnjë të ardhur që vjen prej mandatit të tyre. Ecuria e mëtejshme e bojkotit do të përcaktojë edhe marrëdhënien e pritshme të këtyre deputetëve me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
#