Hipoteka, si përgatitet dosja për regjistrimin e pronave
15/02/2010 Në procesin e regjistrimit fillestar, dokumentet janë elementi më i rëndësishëm
Qytetarët që do të regjistrojnë pronat e tyre pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duhet të përgatisin një dosje të plotë me një sërë dokumentesh në mënyrë që prona e tyre të bëhet e ligjshme. Ekspertët e ZQRPP-së deklaruan për gazetën “Metropol” se për regjistrimin e një prone dhe për bërjen e saj të vlefshme qytetarët duhet të disponojnë një sërë dokumentesh, pasi në rast të kundërt nuk mund të behët regjistrimi. Së pari, të interesuarit duhet të disponojnë të gjithë dokumentet e pronësisë të lëshuar nga komisionet e ngritura për zbatimin e ligjeve mbi privatizimet, të cilat funksionojnë që nga viti 1991 e në vazhdim. Gjithashtu, pjesë e dosjes do të jenë të gjithë dokumentet e lëshuara pas vitit 1991 nga Komisionet e Kthimit e Kompensimit të Pronave që kanë lidhje me prona të kthyera apo të kompensuara fizikisht. Ndërkohë edhe dokumentet e kalimit të pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pronësinë me kontratë shitblerjeje, kontratë dhurimi, akt trashëgimie apo vendim gjykate duhet të dorëzohen pranë ZVRRP-së. Pasi plotësohet dokumentacioni i kërkuar, përgatitet Kartela e Pasurisë së Paluajtshme për pronën e gjithsecilit dhe dokumentohen kufijtë e kësaj prone në Hartën Treguese të Regjistrimit. Ndërkohë, specialistët dhe ekspertët, tërheqin sërish vëmendjen se është e rëndësishme që, gjithsecili të verifikojë saktësinë e Kartelës dhe Hartës Treguese të Regjistrimit të pronës, gjatë procesit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Në bazë të procedurës çdo pronë ka një kartelë që tregon emrin e pronarit, tipin e pronësisë, vendndodhjen fizike dhe madhësinë e pronës. Ajo tregon gjithashtu çdo ngarkesë ose kufizim në transferimin e pronës si të drejtën e përdorimit të tokës nga të tjerët, hipotekimin, dhënien me qira ose problemet gjyqësore. Çdo pronë, pavarësisht nëse është një parcelë apo ndërtesë, ka një numër unik identifikimi, i cili referohet në kartelë dhe në Hartën Treguese të Regjistrimit. Shqipëria ka më shumë se 4.5 milionë prona të ndara në 36 rrethe dhe rreth 3000 zona kadastrale. Çdo rreth ka një Zyrë Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme dhe një Regjistrues, i cili mbikëqyr regjistrin për zonën e tij.
Pronat me probleme, si regjistrohen
Të gjithë ata persona, të cilët kanë probleme me dokumentacionin e tyre duhet të ndjekin një procedurë të re për regjistrimin e tyre. Ekspertët e Zyrës Qendrore të regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, deklarojnë se qytetarët, të cilët nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pronës në dokumente mund ta rregullojnë atë vetëm me anën e një kërkese. Procedura e re saktëson se “individët, familjet dhe personat juridikë, privatë apo shtetërorë, që zotërojnë këto dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen e pasurisë së paluajtshme, kanë të drejtë t’i paraqesin Regjistruesit të ZVRPP-së, një kërkesë për regjistrim pronësie, në mënyrë që të fillojë procesi i regjistrimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dokumentin e pronësisë, një plan-vendosje apo genplanin e pasurisë, deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet si dhe kopje të vërtetuara nga noteri të dokumenteve të ndryshme që mbështesin kërkesën për regjistrim. Vetëm pasi të jenë dorëzuar të gjitha këto dokumente specialistët e ZVRPP-ve mund të fillojnë procedurat për saktësimin dhe regjistrimin e kësaj prone, deri në lëshimin e certifikatës së pronësisë.