E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjysma e Tiranës është katandisur në një kanal të ujërave të zeza”

Denoncon Ilir Meta

TIRANE - Pasi i “fali” kryetarit të bashkisë së Tiranës, Edi Rama buxhetin problematik të vitit 2009, Lëvizjes Socialiste është detyruar që të riparojë vetë punët e pambaruara të bashkisë së madhe e konkretisht rehabilitimin e kanalit të ujërave të zeza në Kombinat që vetëm pak javë më parë u bë shkak për përmbytjen e dhjetëra shtëpive.
Nën sloganin “Është Koha për Veprim”, kreu i LSI-së Ilir Meta i shoqëruar nga të rinj
së kësaj force zhvilluan dje një aksion për pastrimin e këtij kanali .
“Ky kanal këtu nuk është i vetmi, janë shumë të tillë jo vetëm në Kombinat, por në të gjithë kryeqytetin. Ju e shikoni se çfarë gjendje e rëndë është, se çfarë problemi është për këta mijëra banorë që jetojnë këtu dhe kjo, padyshim, që na bën një thirrje për të vepruar, jo vetëm neve, me qëllim për të ndihmuar dhe për të dhënë një kontribut duke pastruar këtë kanal, që kur të bien shirat të mos ketë përmbytje për komunitetin. Por njëkohësisht është edhe një apel drejtuar pushtetit vendor, drejtuar qeverisë, drejtuar edhe komunitetit, për të bashkërenduar në mënyrë që kryeqyteti ynë të jetë vërtet një kryeqytet i standardeve evropiane, për sa i takon infrastrukturës. Të mos ketë rreziqe dhe shqetësime të tilla për banorët, që vijnë nga përmbytjet, që vijnë nga mospastrimi i këtyre kanaleve, nga mosinvestimi në rregullimin e kësaj infrastrukture dhe padyshim që i bëjmë edhe një thirrje shpirtit rinor, që kërkon një jetë më të mirë për të shpenzuar sa më shumë energji të jetë e mundur në aktivitete të tilla, në ndërmarrje të tilla, të cilat vërtet janë edhe të lodhshme, edhe të mundimshme, por që tregojnë sinjale të qarta se rinia shqiptare nuk mund të durojë atë situatë mjedisore, atë standard të dobët në infrastrukturë. Por rinia shqiptare nuk mund të durojë as edhe atë indiferencë që vihet re, sidomos për shumë zona periferike, po të mos harrojmë se më shumë se gjysma e kryeqytetit jeton në zona të tilla. Ju e shikoni se çfarë ere bie këtu, se çfarë situate kritike është këtu dhe se sa e vështirë është për t’i rritur fëmijët këtu”, u shpreh kreu i LSI-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›