Video-konferenca me Loshajn, gjykata në pritje të përgjigjes nga “Albtelekom”
“Albtelekom” duhet që deri më datë 2 tetor të kthejë një përgjigje nëse arrin t’i ofrojë Gjykatës së Krimeve të Rënda shërbimin e internetit për një lidhje me video-konferencë me Holandën ditën kur është caktuar për t’u pyetur Loshaj. Fakti u bë i ditur ditën e djeshme nga togat e zeza të kësaj gjykate, të cilat kanë kërkuar një përgjigje zyrtare deri ditën e premte nëse “Albtelekom” do ta mundësojë video-konferencën me Holandën nga ku pritet të lidhet Avdyl Loshaj për t’u përgjigjur pyetjeve të avokatëve, prokurorit dhe gjyqtarëve lidhur me rrëmbimin e tij nga strukturat e SHIK-ut. Dhe, ndërkohë që gjykata është në pritje për të marrë dëshminë me video-konferencë nga i rrëmbyeri Loshaj, Gjykata e Krimeve të Rënda u ka kërkuar palëve në proces të depozitojnë paraprakisht pyetjet për dëshmitarin, i cili sipas akuzës, rezulton të jetë rrëmbyer vite më parë nga strukturat e SHIK-ut së bashku me Remzi Hoxhën dhe Ziso Kristopullin. Gjatë seancës, trupi gjykues deklaroi se pyetjet e përpiluara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe avokatët mbrojtës të ish-funksionarëve të SHIK-ut, aktualisht nën akuzë, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro, duhet të dorëzohen dy javët e para të tetorit. Avdyl Loshaj do të pyetet me video-konferencë nga Holanda, vendim i marrë një javë më parë pas refuzimeve të tij për të ardhur në Shqipëri, me pretendimin e ngritur prej tij se ndihej i pasigurt. Por, gjykata njoftoi dje se deri më 2 tetor duhet të marrë përgjigje zyrtare nga “Albtelekom” për realizimin e video-konferencës, në mënyrë që në ditën kur Avdyl Loshaj të flasë, të mos ketë pengesa me rrjetin. Në seancën e radhës ishte e pranishme një tjetër dëshmitare e akuzës, e cila u identifikua me dy identitete, Ruzhdie Kërcini dhe Ilika Kërcini. Por, duke qenë se ajo e ka dhënë dëshminë me emrin Ilika, gjykata çmoi si të arsyeshme që gruaja të sillte dokumente identifikimi, që vërtetojnë se bëhet fjalë për të njëjtin person. Ndërkohë që sipas burimeve nga mbrojtja, sot pritet që Gjykata e Lartë të vendosë nëse për të pandehurin Kumbaro do të hiqet masa e arrestit me burg, duke qenë se të pandehurit e tjerë janë pa masë arresti. Tetori pritet të jetë vendimtar për Kumbaron edhe për ekstradimin apo jo të tij nga Londra, duke qenë se seanca për të vendosur një gjë të tillë është lënë për këtë muaj.