E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, paketa e kushteve të PS-së

Megjithëse është bërë pjesë e garës së ardhshme zgjedhore për pushtetin vendor, Partia Socialiste nuk është ende e sigurt për t’u angazhuar plotësisht në procesin përgatitor elektoral. Kjo për shkak se sipas selisë rozë nuk ekzistojnë ende kushtet e nevojshme për të siguruar një proces zgjedhor të lirë dhe ndershëm. Ndaj Partia Socialiste do të vijojë të këmbëngulë deri në fund të këtij muaji që të plotësojë një sërë kushtesh për të patur zgjedhje të pranueshme nga të gjithë. Madje, zëra jo pak të rëndësishëm në këtë forcë politike kërkojnë nga drejtuesit e saj që PS të formulojë sa më parë kushtet për zgjedhjet. Dhe më konkretisht një KQZ e balancuar dhe e garantuar nga Presidenti, lista zgjedhore të kontrolluara dhe certifikuara nga opozita, karta identiteti e pasaportë të verifikuara elektronikisht. Përveç këtyre kushteve, që deri diku janë bërë publike dhe më parë nga drejtuesit socialistë, në këtë paketë kushtesh duhet të përfshihet dhe kërkesa për polici të paanshme dhe të ndarë nga qeveria e Partia Demokratike, si dhe qeveria të vihet nën kontroll për përdorimin e parave publike dhe aseteve publike në funksion të partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›