E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, zjarr në kodra, ndalohen adoleshentët

 

FIER - Përfshihen nga flakët kodrat e Vajkanit në rrethin e Fierit. Zjarri i shfaqur paraditen e djeshme shkrumboi më shumë se 50 hektarë ullishta e pemë të tjera. Të ndodhur përballë një situate të tillë, banorë të zonës kanë filluar të shuajnë flakët me mjete rrethanore, por këto operacione kanë qenë të pamundura duke parë se flakët përhapeshin me shpejtësi të madhe. Por, ata janë alarmuar më shumë për faktin e disa shpërthimeve që janë dëgjuar gjatë zjarrit. "U munduam që të shuanim zjarrin, por nuk i afroheshim dot vatrës së tij, pasi dëgjoheshin shpërthime. Dihet që në këtë zonë më parë kanë qenë të vendosura disa depo armatimesh dhe municionet mund të jenë shpërndarë", u shpreh Myrto Seferi, një banor i zonës. E ndërsa mundoheshin të vinin nën kontroll flakët, në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit që rreth pasdites bënë të mundur lokalizimin e më pas shuarjen e tyre. Policia ka ndaluar dy adoleshentë, të dyshuar se kanë shkaktuar zjarrvënien, duke hedhur cigare të ndezur. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›