Rama krijon parti paralele në PS
Fushata, jo në godinat e partisë
Do merren me qera zyrat për shtabet elektorale
Edi Rama po krijon “parti” paralele brenda Partisë Socialiste. Pasi shmangu strukturat partiake, duke ngritur borde qytetare dhe grupin e vullnetarëve që shfaqen si struktura ku anëtarët nuk janë anëtarë të PS-së, tashmë ai ka vendosur të mos përdorë as selitë e partisë në rrethe. Fushata për zgjedhjet e reja do të bëhet në godina me qera. Vendimi u mor dje në takimin e Ramës me drejtuesit vendorë të PS-së, të cilët kishin ardhur në Tiranë për të marrë udhëzimet e duhura. Burime nga PS-ja bënë të ditura se sipas këtyre udhëzimeve, në ditët e para të muajit janar do të nisë procesi i ngritjes së shtabeve elektorale. Në ndryshim me organizimet e tjera, këtë fushatë, shtabe elektorale do ketë edhe nëpër fshatra, duke shmangur përqendrimet vetëm në qytete. Udhëzimit i është shtuar edhe një element. Shtabet elektorale nuk do të ngrihen brenda godinave të Partisë Socialiste në rrethe. Synohet gjetja e ambienteve të tjera. Këto të fundit mund të merrem me qera, duke krijuar në këtë mënyrë dhe një kosto të madhe financiare për partinë, duke marrë parasysh faktin se do të shtrihen në çdo njësi vendore të vendit. Një gjetje origjinale për të shmangur sërish strukturat e PS-së, siç ka ndodhur edhe me bordet e qytetarëve. Godinat nuk do të jenë të njëjtat, duke shmangur njehsimin me strukturat e partisë, në sytë e elektoratit të PS-së së rrethit me organizatorët e fushatës. Njëkohësisht, duke marrë parasysh përbërjen hierarkike të shtabit elektoral, degët e PS-së marrin një rol dytësor në organizimin e fushatës, pasi një pjesë e mirë e shtabeve përbëhen kryesisht nga persona që vijnë nga PS-ja e qendrës, si anëtarë kryesie, kujdestarë politikë etj. Kjo nuk është përpjekja e parë e liderit socialist për të shmangur punën e degëve të PS-së. Prej disa muajsh ai ka ndërmarrë një tur duke promovuar “Bordin me qytetarët”. Një grupim që synon të mbledhë pjesën “gri” të elektoratit, të njohur si të pavendosur për votën që japin. Praktikisht është një punë që i takon direkt degëve në rrethe, por përmes ngritjes së këtyre bordeve, Rama tenton të krijojë një tjetër imazh për veten dhe partinë. Përcaktimi se anëtarët e këtyre bordeve janë pa parti është karremi që përdoret për të thithur këtë pjesë të elektoratit, vota e të cilit ka qenë vendimtare për rezultatin zgjedhor në Shqipëri. Rama po bën çmos që të japë një imazh të ri në fushatën e ardhshme dhe të shmangë njehsimin e çdo fenomeni me logon e flamurin apo teserën e PS-së. Pjesë të këtij fenomeni janë grupi i vullnetarëve. Sipas PS-së, grupi i vullnetarëve përbëhet nga të rinj jo anëtarë partie, por njerëz me dëshirën për të punuar vullnetarisht për Partinë Socialiste. Komunikimi me njerëz që nuk janë anëtarë të një partie, po vullnetarë, është më bindës për elektoratin, i cili nuk përballet me flamuj partish apo slogane elektorale.