Dade: Ligji për dosjet, mazhoranca manifestoi shurdhëri
Partia Socialiste reagoi dje pas miratimit të ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të miratuar mbrëmjen e dy ditëve më parë në Kuvend.
Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, deklaroi dje se
mazhoranca manifestoi shurdhëri ndaj këshillave dhe sugjerimeve të partnerëve euroatlantikë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE-ja që flet në emër të 55 vendeve anëtare, Britania e Madhe, Rezoluta e Këshillit të Evropës, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, Partia Socialiste që ripërsërit qëndrimin pro hapjes së dosjeve, përfaqësues të partive parlamentare dhe shoqërisë civile. “Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka se si e shpëton atë dhe mazhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë Kryeministër”, - tha Dade.