E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama kritika Policisë për zhdukjen e Ervis Martinajt, Berisha: Ja u tregoj unë ku është

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha ka komentuar kritikat e kryeministrit Edi Rama në drejtim të Policisë së Shtetit për faktin se nuk kanë ende asnjë të dhënë mbi fatin e Ervis Martinajt, i cili rezultoni zhdukur prej disa javësh.

Sipas Berishës, Martinaj është te lojërat e fatit, duke akuzuar qeverinë se iniciativa për të legalizuar lojërat e fatit lidhet pikërisht me zhdukjen e tij.

“Sot Edi Rama porositi Muhamet Rrumbullakun për Ervis Martinajn. Ja u tregoj unë ku është Vis Martini. Martini është te lojërat e fatit. Shko pyet Olsin dhe ta thotë Olsi. Njerëzit e kanë të qartë si drita e diellit. Ai ishte njëshi i lojërave të fatit, i vëllai i tij është hija e tyre. Sa ishte ai ishin ilegale, iku ai askush se di se ku iku, por dimë që lojërat u bënë të ligjshme tani. Gjithçka lëviz nga një trajektore që vjen nga kupola dhe shkon drejt poshtë“, tha Berisha

Teksa prezantoi Muhamet Rrumbulakun në krye të Policisë së Shtetit, Rama tha se është e “pafalshme” që policia nuk di asgjë mbi fatin e një prej eksponentëve më të kërkuar të botës së krimit në vend, duke kërkuar të zbardhej e vërteta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›