E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Harroni kutitë, votim elektronik”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Berisha ka deklaruar nga salla e Kuvendit se në bisedimet e fundit që ka pasur me Emirin e Kuvajtit ka marrë garancinë jo vetëm për të financuar sheshin e Tiranës, por edhe Boshtin e Jugut, ndërsa deputetëve të PS u ka treguar se do ti japë fund edhe lojës me kutitë e votimit dhe me komisionerët. Në fjalën e tij, Berisha ka lënë të kuptohet se në të ardhmen mënyra e votimit për shqiptarët do të jetë elektronike. “Do t´ju nxjerr edhe juve nga kutia, s´do ketë më as kuti, as komisionerë, as fletëvotimi. Keni frikë nga teknologjia, mos u bëni prehistorikë, do të marrë fund gjyqi i shëmtuar që po u bëni 20 mijë komisionerëve politikë, ska më komisionarë, por gjurmë gishti, nuk do të ketë më kuti votimi, do ketë gjurmë elektronike. Ju ndryshoni statutet, unë do ndryshoj procedurat e votimit”, - deklaroi Berisha.
Ekonomia
Ai e ka parë si “entuziaste, dinamike, shpresëdhënëse" paraqitjen e ekonomisë shqiptare në 3-mujorin e parë të vitit 2010. “Jam i bindur që këta tregues kanë një rëndësi të madhe për të gjithë ata shqiptarë që të ardhurat e tyre i bazojnë në rroga dhe pensione, eksporti i mallrave shqiptare ka një rritje jo 10, 20 apo 50, por një rritje në 144 për qind në vlerë”, – u shpreh Berisha. Më tej në fjalën e tij, kryeministri Berisha vlerësoi zhvillimin ekonomik të vendit. Ai tha se qeveria do të mundet të rrisë përsëri pagat dhe pensionet si pasojë e treguesve të mirë ekonomikë dhe rritjes së të ardhurave në buxhet. “Ekonomia shqiptare është shpresëdhënëse dhe dinamike”,- tha Berisha. Ndërkohë kryetari i Grupit Socialist, Gramoz Ruçi, kundërshtoi duke thënë se ka pasur rënie të eksportit të makinerive, rënie të ardhurash dhe rritje të papunësisë dhe të çmimeve edhe për artikujt e konsumit.

Ky lajm është publikuar: 09/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›