Rama letër Topit, Ndalo mbledhjen e Parlamentit
Edi Rama i është drejtuar sot Presidentit të Republikës, Bamir Topi, me anë të një letre, e cila e cilëson atë si kryetarin e Partisë Socialiste, duke i kërkuar zyrtarisht kreut të shtetit në cilësinë e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që të mos lejojë mbledhjen e parlamentit dhe krijimin e qeverisë së re dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në letrën e vet, Rama shprehet se nuk mund të pranojë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standateve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe “autoriteteve” të krimit, duke theksuar se ky problem kaq i rëndë duhet trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundëshme ligjore e institucionale. Ashtu si edhe në reagimet e ditëve të fundit, Rama vijon të mos mbajë mbi shpatulla asnjë përgjegjësi personale në humbjen që PS pësoi në zgjedhjet fundit parlamentare, por vijon të këmbëngulë në argumentat sipas tij, për mungesën e standarteve në këtë proces zgjedhor. Është shkelur në mënyrë flagrante ligji nga autorietet më të larta shtetërore, thotë Rama në letrën që mban firmën e tij, autoritete të cilat kanë mundësuar gjatë periudhës së fushatës elektrorale nxjerrjen nga burgjet të personave të rrezikshëm, jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e lejeve të përkohshme.