E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama letër Topit: Pas 21 janarit zgjedhjet s'mund të jenë të lira

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste i përgjigjet letrës që presidenti Bamir Topi dërgoi një ditë më parë partive politike parlamentare.

Rama e nis letrën me vlerësimin e rolit dhe të përpjekjeve të presidentit në kërkim të rrugëdaljes prej udhëkryqit dramatik ku e ka mbërthyer Shqipërinë kriza e gjithanshme.

Rama nënvizon bindjen e palëkundur të opozitës se kriza politike është veçse
"simptoma më kuptimplotë e një krize shumë më të rëndë sesa thjesht politike."
“Kjo është kriza e kapjes së shtetit, për interesat e pushtetit. E cila përthyhet në një demokraci të kërcënuar në cdo aspekt, drejtësi të kompromentuar në cdo nivel të pushtetit gjyqësor, ekonomi të rrënuar nga korrupsioni e papunësia”- shkruan Rama në letrën e tij duke vazhduar se: "Pikërisht brutaliteti që ushqen kapja e shtetit dhe më anë tjetër, frika e pushtetit prej vetëdijësimit të popullit për nivelin marramendës të korrupsionit ishin dy arsyet e qenësishme pse më 21 janar demostrata paqësore e mbi njëqindmijë qytetarëve, u provokua fatalisht duke degraduar në dhunën që kulmoi me katër të vrarë e shumë të plagosur prej pushkëve të Gardës Republikane."- 
Kryetari i PS-se vë theksin në hetimin e plotë dhe të paanshëm të kësaj ngjarjeje.

Sipas liderit të opozitës e vetmja zgjidhja e krizës është dorëheqja e qeverisë dhe  zgjedhje të parakohshme.
Ai thekson njëkohesisht se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk është opsion i opozitës, por se nuk do të lejohet që ato të jenë farsa e radhës.

"Ju garantoj se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë në asnjë rast një opsion i yni. Pas farsës elektorale të qershorit 2009, ne kemi qenë të bindur se nuk mund, s’duhet dhe s’do të lejojmë që zgjedhjet e radhës të jenë farsa e radhës. Por pas 21 janari ne jemi të bindur se, në kushtet e sotme, zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen në rast se vërtet duam që ato të jenë një garë e lirë dhe e ndershme, jo një farsë edhe më e pagëlltishme, që do nxisë precipitimin e mëtejshëm të krizës."- nënvizon Rama duke lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit për ndryshimin e kushteteve, por në prani të ndërkombëtarëve.  

"Sigurisht që këto kushte mund të ndryshojnë. Këto kushte duhet të ndryshojnë e përsa na takon ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithcka mundemi që ata të ndryshojnë padyshim me ndihmën e pazevendësueshme të miqve e partnerëve të Shqipërisë. Në këtë kontekst ne besojmë se angazhimi së fundmi i komunitetit ndërkombëtar përmes misionit të zoti8t Lajcak është një shans i mirë të cilin palët nuk duhet ta humbasin bashkë me kohën që ikën."

Rama i shpreh sigurinë presidentit se "forca politike që kam nderin të udhëheq në këto ditë të vështira për vendin do të vazhdojë të tregojë ndjenjë të lartë përgjegjësie në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, institucioneve të pavarura dhe projektit të Shqipërisë europiane"  
Rama mbyll letrën e tij duke shprehur sigurinë se opozita nuk do të bëjë asnjë hap prapa nga demonstratat masive në të gjithë vendin, që kanë për synim largimin e qeverisë dhe realizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›