E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, lobing te të majtët europianë

Edi Rama dhe Ilir Meta do të udhëtojnë sot drejt Pragës, në Çeki, për të marrë pjesë në Kongresin 2-ditor të partive të majta europiane. Dy liderët e majtë, të ftuar nga organizatorët e këtij kongresi, nuk do të udhëtojnë së bashku, pasi Rama do të paraqitet si kryetari i opozitës, ndërsa Meta në rolin e zv/kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm në një qeveri të djathtë. Asnjëra prej dy partive nuk është anëtare e PSE, për shkak se Shqipëria nuk është ende anëtare e Bashkimit Europian. Sakaq, kreu socialist Edi Rama do të paraqitet te të majtët europianë me një dosje voluminoze, ku do të konsistojë të shprehë shqetësimet e tij, sidomos te homologët që janë përfaqësues në Parlamentin Europian në lidhje me situatën politike në vend. PS-ja e Shqipërisë do të kërkojë ndihmën e të majtëve europianë për të ngritur zërin edhe në Parlamentin Europian, për të denoncuar mosrespektimin e të drejtave të opozitës nga qeveria. Në takime të veçanta, socialistët shqiptarë do të diskutojnë me përfaqësuesit e të majtëve europianë edhe për lëvizjet e reja që ata duhet të bëjnë. Kongresi i PSE-së zhvillohet në prag të një vale protestash të mëdha që janë paralajmëruar nga specialistët, sepse Kryeministri Berisha refuzoi të hapë kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit pas një afati dhjetëditor.

Prej ditësh, PS ka nisur të lobojë te ndërkombëtarët në mënyrë që të marrë mbështetjen e tyre për qëndrimin e saj.

Misioni kryesor është "lobimi" për të garantuar një mbështetje ndaj kauzës së tyre për hapjen e kutive të votimit. Aktualisht, socialistët janë fokusuar te marrëdhënia me socialistët spanjollë. Ky shtet pritet të marrë drejtimin e Presidencës së Bashkimit Europian në janar të vitit 2010. Fakti se aty qeverisin forcat e majta, krijon premisa që zëri opozitar të jetë edhe më i preferueshëm nga Presidenca e BE-së sa i takon qëndrimit të saj për zhvillimet në Shqipëri. Gjatë gjithë muajit dhjetor do të zhvillohen një sërë protestash në të gjithë vendin, kryesisht me grupe interesi, të cilat preken nga vendime të ndryshme të qeverisë. Kongresi i socialistëve europianë do të mbahet në Pragë të Çekisë. Ky është forumi më i madh që mbledh socialistë dhe socialdemokratë të partive të vendeve anëtare të BE-së. Në këtë kongres pritet të ketë rreth 335 delegatë nga partitë anëtare dhe mbi 2000 pjesëmarrës të tjerë nga organizatat anëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›