E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh sot aleatët për tryezën

Prag negociatash

Disa orë para zhvillimit të negociatave te Presidenti, Partia Socialiste do të mbledhë aleatët e saj, ku do t’u bëhet e ditur gjithë strategjia dhe qëndrimet politike në ditët në vijim. Menjëherë pas mbërritjes nga Strasburgu, sot pasdite, kreu i Partisë Socialiste do të takojë Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Erjon Veliajn, Nard Ndokën dhe Spartak Ngjelën për të diskutuar me ta mesazhin e marrë nga socialistët europianë, kushtet me të cilat do të paraqitet në tryezë etj. Burime nga partitë opozitare bënë me dije se sot pasdite në 17.30 do të zhvillohet takimi i radhës ashtu sikundër ka deklaruar Rama se para se të shkojë në tryezë do të kontaktojë me aleatët e tij. Por edhe aleatët janë të qartë lidhur me atë çfarë kërkojnë nga selia rozë. Hapja e kutive dhe reforma në sistemin zgjedhor duket se janë dy kushtet e patjetërsueshme për ta. Madje, ata shprehen kundër idesë së hapjes së pjesshme të kutive si një zgjidhje e mundshme për krizën në vend. Ideja që ka gjetur vend si në ambientin e politikës shqiptare, por edhe te faktori ndërkombëtar kundërshtohet nga partitë opozitare. Në një prononcim për gazetën “Shqip”, kreu i G99, Erion Veliaj, tha se nuk mund të flitet për lotari kutish. “Qëndrimi zyrtar i PES flet për "hapje të kutive" dhe jo hapje e pjesshme e kutive. Ne kemi kërkuar hetim serioz të kutive, dhe jo një lotari kutish - kjo do të ishte qesharake! Mjaft të kujtoni se në lotarinë e fundit për kompensimin e pronave doli fituese e vetme Kryetarja e Kuvendit megjithëse Shqipëria ka dhjetëra mijë kërkesa për kompensim. Kjo evidencë mjafton për të shmangur një cirk të panevojshëm”, tha Veliaj ndërsa qartësoi se opozita kërkon hapjen e pjesshme të kutive. “A do të thotë kjo se duam të hapim çdo kuti? Jo, aspak! Ama duam të hapim çdo kuti të dyshuar! Në një vjedhje banke, gjurmët që hetohen nuk janë duart e këpucët e gjithë republikës apo sipas shortit, por ato që dyshohen. Kësisoj, nuk dyshojmë te 5000 kutitë, por te rreth 1/3-ta ku sipas raportit numërimi qe keq ose shumë keq”, vijoi ai. Kundër idesë u shpreh edhe Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, konsideroi se nëse ka hapje të pjesshme të kutive do të thoshte që bëhet një test, por kjo nuk ndihmon që të dalin përpara përgjegjësisë fajtorët e prekjes së votës. “është thjeshtë për të bërë një test. Mund të jetë një mundësi testimi jo për sistemin, por për transparencën e plotë. Ndaj nuk do dalin përgjegjësit e vërtetë”, tha ai. Ndërsa Milo dhe Gjinushi dy ditë më parë deklaruan se PS duhet të shkojë në tryezën me kushtin e hapjes së kutive. Ndërkohë që PS ka bërë të qartë se bojkoti vazhdon dhe nuk do të ndalet për aq kohë sa nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›