E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh sot grupin për seancën e 18 marsit

17/03/2010 Zhvillimet në PS

Grupi i Partisë Socialiste do të mblidhet sot për të marrë vendim në lidhje me seancën e ditës së nesërme. Burime në PS shprehen se mbledhja do të thirret për të diskutuar hapat që do merren nga deputetët socialistë në të ardhmen, ku sipas të njëjtave burime, një mundësi e madhe është rikthimi te bojkoti. Vendimi do jetë i detyrueshëm për të gjithë deputetët dhe nuk do të mund ta thyejnë as deputetët e LMN-së, që me kohë kanë qenë kundër bojkotit të Parlamentit. Gjithsesi, një tjetër variant që pritet të shtrohet ditën e sotme në mbledhjen e grupit të PS-së është dhe ai i vazhdimit të aksionit politik brenda Kuvendit, duke u alternuar me idenë e protestave që është hedhur nga lideri socialist. Thirrja e mbledhjes së grupit parlamentar u imponua nga zhvillimet e djeshme në komisionin e Ligjeve, ku socialistëve iu rrëzuan me shumicë votash propozimet që kishin të bënin kryesisht me hapjen e kutive të votimit dhe kohëzgjatjen e punës së komisionit, që nga ana e PS-së ishte propozuar 2 vjet. Refuzimi i pikave 2,3 dhe 4 të propozimeve të PS-së solli largimin e deputetëve të PS-së nga komisioni i Ligjeve. Të njëjtat burime shprehen se të gjitha gjasat janë që të merret një tjetër vendim bojkoti nga ana e PS-së, gjë e cila nuk është fort e mirëpritur nga deputetët socialistë, qofshin këta përkrahës ose jo të kryetarit Rama, brenda Partisë Socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›