Rama me Tadiç dhe Papandreun në Afrikë, duartrokasin parulla kundër kapitalizmit dhe imperializmit amerikan
Në kongresin e Internacionales Socialiste në qytetin Cape Town të Afrikës së Jugut hidhen parulla kundër “kapitalizmit dhe imperializmit amerikan”
Në qytetin Cape Town të Afrikës së Jugut, ka nisur dje punimet asambleja e Internacionales socialiste e përbërë 162 përfaqësues të partive socialiste dhe të majta nga vende të ndryshme të botës. Klubit socialist në Afrikë i është bashkuar edhe ish-presidenti serb Boris Tadiç, i cili do të marrë pjesë në Kongresin e 24-t të Internacionales Socialiste. Të ftuar në këtë asamble ndërkombëtare janë edhe dy përfaqësues të Partisë Socialiste Shqiptare, kryetari Rama dhe deputeti Balla.
Në orën 10:00 me orën lokale të Afrikës së Jugut kongresi socialist hapi punimet me fjalën e mirëseardhjes së Presidentit (në largim) të Internacionales Socialiste, ish-kryeministrit grek Jorgos Papandreu. Në fjalën e tij, Papandreu ka mbrojtur ekzistencën e Internacionales Socialiste, edhe pse një strukturë që ka nevojë për reformizëm, duke thënë se partitë e majta ishin të rëndësishme në të kaluarën për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe barazisë për të gjithë. Ish-kryeministri i PASOK-ut, Jorgos Papandreu ka thënë se koordinimi ndërkombëtar i partive të majta është sot më e rëndësishme se kurrë. Ndër të tjera ia ka theksuar se shpëtimi i Greqisë do kish qenë e mundur nëse grekët nuk do t’i dërgonin “fshehurazi” 21 miliardë euro në parajsat fiskalet të botës.
Ndërsa më pas fjalën e ka marrë zëvendëspresidenti Kgalema Motlanthe, i cili ka lëshuar një breshëri akuzat kundër efekteve të kapitalizmit dhe imperializmit që, sipas tij, po rrit varfërinë dhe pabarazinë në botë, ndaj është e rëndësishme kundërpërgjigja e internacionales socialiste.
Sigurisht dëgjues special të këtyre fjalëve, në rresht të parë, ishin edhe Boris Tadiç e Edi Rama, që të dy dëgjonin me interes për fatet e pritshme të Internacionalizmit pasi kongresi socialist po mbahet nën fjalën kyç, “Për një internacionalizëm të ri dhe një kulturë të re të solidaritetit”.
Ky sinkronizim vjen pasi Rama në opozitë në Shqipëri, ashtu dhe Tadiç gjendet në vështirësi në Serbi pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, ku strukturat partiake po vlojnë nga kundërshtitë.
Përtej këtij konstatimi, Internacionalja Socialiste me sloganin për një “Internacionalizëm të ri dhe të një kulture të re solidariteti” pranon më në fund dështimin e së majtës për të përballuar sfidat e mëdha që sjell procesi i globalizmit.
Sigurisht Internacionalja Socialiste, e formuar në klimaksin e pas Luftës së dytë Botërore, padyshim reflekton prioritetet dhe vizionin e botës pikërisht të asaj periudhe del të jetë një strukturë aliene (e huaj) në kushtet e një bote unipolare pas shembjes së perandorisë komuniste të Bashkimit Sovjetik.
Afërmendsh një nga akuzat më të shpeshta që i bëhen kësaj organizate ndërkombëtare, nga vetë eksponentë të saj, është kthimi në një forum diskutimesh për partitë socialiste dhe socialdemokrate, në vend që të ishte një forcë gjenuine ndërkombëtare për politikat progresiste të tipit të ri.