E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama, me gjuhën e një halabaku, po sulmon familjarët e kryeministrit, për të fshehur krimet e tij”

Reagon Partia Demokratike

TIRANE - Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratës së rëndomtë dhe aspak dinjitoze për ata që pretendojnë se i shërbejnë politikës së këtij vendi, duke sulmuar familjarët e një politikani apo të kryeministrit të vendit, siç bëri dje hispaniku i Edi Ramës, Erion Braçe. Në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme dhe të rëndomta të socialistëve shërbyes të dondollakëve, apo transportuesit e drogave të Kadriovskit, zëdhënësja e selisë së PD-ës, deklaroi se gjuha e përdorur nga Edi Rama, është e padenjë jo vetëm për një politikan, por edhe për një alabak ordiner.
“Edi Rama pasi sulmoi fillimisht Kryeministrin e vendit me një gjuhë të padenjë jo vetëm për një politikan por edhe për një alabak ordiner, nxori atë që tashmë është i faktuar si asistent i Dondollakut, por edhe korrier i drogës jo vetëm i tij, por edhe i Kadriovskit, Erjon Braçen për të sulmuar familjarët e kryeministrit dhe më konkretisht vajzën e tij, e cila është një avokate që punon në një studio private ligjore në Tiranë si dhjetëra e dhjetëra studio të tjera dhe që ushtron aktivitetin në përputhje të plotë me ligjet e shtetit shqiptar e që ka paguar të gjitha detyrimet tatimore të saja dhe që është e para në sektorin privat në historinë e vendit që ka deklaruar të ardhurat me korrektesën më të madhe pranë ILDKP-së”, tha zëdhënësja e PD-ës.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike shtoi më tej se, “me e-mailet e botuara në media, të cilat dëshmojnë një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit, Edi Rama dëshmon se nuk ka asnjë alternativë tjetër për t’i ofruar shqiptarëve përveç skupeve dhe trillimeve mediatike siç ishte ajo e vjedhjes së shpikur të orës së Presidentit Bush, shpalljes së Kosta Trebickës si të ekzekutuar nga shteti, akuzave politike të rrugës Durrës – Kukës apo akuzave ndaj biznesmenit Damir Fazlliç, apo siç ishin ato më të fundit të shitjes së ujërave territoriale të vendit”.
“Edi Rama me sulmet familjare ndaj Kryeministrit përpiqet thjesht të mbulojë mbi lakuriqësinë e tij firmat e ekzekutimit politik të njerëzve e intelektualëve të pafajshëm nga i ati e daja e tij anëtarë të Presidiumit e Byrosë Politike. Të mbulojë dhënien e 30 lejeve të ndërtimit Delijorgjit dhe pushimet e kaluar në Kretë me të. I bën për të vënë në harresë mbajtjen peng të Planit Rregullues të Tiranës dhe përpjekjet për të vjedhur trojet publike për vete dhe klanet me të cilat ai ndan pasuritë. I bën për të mbuluar 19 lejet e ndërtimit nga 28 që ishin gjithsej në KRT-në e fundit të Tiranës të cilat i ndau me Eftimin e tij”, u shpreh zëdhënësja e PD-ës duke shtuar se, Shqiptarët janë të lutur të kenë durim gjer më 28 qershor kur Rama të dalë përfundimisht nga politika e shqiptarëve si humbës i madh i zgjedhjeve të ardhshme.
L.Q

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›