Administrata, shtohen 36 punonjës me kontratë
Qeveria miratoi dje një vendim, sipas të cilit në administratë shtohen 36 punonjës. Kështu, me propozim të Ministrit të Financave, Ridvan Bode, numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do t’i shtohen 18 (tetëmbëdhjetë) veta, për Qendrën Kombëtare të Aplikimeve Energjetike. Ndërkohë Këshillit të Ministrave i janë shtuar 15 punonjës për Teknologjinë dhe Inovacionin, si dhe tre punonjës për Ministrinë e Financave. “Numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Ministrinë e Financave, i shtohen 3 (tre) veta, për njësinë e auditimit të sistemit të zbatimit të programeve të asistencës, të Bashkimit Evropian. Numrit të punonjësve, miratuar për vitin 2009, për Këshillin e Ministrave, i shtohen 15 (pesëmbëdhjetë) veta, për Agjencinë e Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit”, thuhet në vendimin e qeverisë së miratuar dje. Pas këtyre ndryshimeve në qeveri, numri i punonjësve buxhetorë për vitin 2009, për ministritë dhe institucionet qendrore bëhet 89 918 veta.