E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Presim vendim pozitiv për vizat

 

Shqipëria pret që brenda vitit të ardhshëm të përfitojë nga liberalizimi i vizave me vendet e BE-së. Kështu deklaroi zv.kryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë punimeve të samitit të kryetarëve të qeverive të vendeve anëtare të Nismës së Evropës Qendrore (NEQ). Në fjalën e tij në këtë samit, kryediplomati Ilir Meta vlerësoi NEQ si një forum shumë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal për forcimin e dialogut politik dhe bashkëpunimit konkret, nëpërmjet projekteve në fusha të ndryshme. Lidhur me lëvizjen e lirë, Meta shprehu besimin se “brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi pozitiv për kapërcimin përfundimtar të kësaj barriere, ç’ka do të çlironte energji pozitive dhe do të krijonte një perspektivë realisht të prekshme për secilin prej vendeve tona”. Duke nënvizuar integrimin evropian si sfidën më të rëndësishme të kësaj nisme, zv.kryeministri theksoi se, “vokacioni evropian i Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet i pandryshueshëm dhe, si rrjedhojë, integrimi në BE është prioritet madhor i politikës së jashtme të shtetit shqiptar”. Gjatë punimeve të këtij samiti u miratuan disa dokumente të rëndësishme, si Plani i Veprimit për vitet 2010-2012, deklarata e 20-vjetorit të krijimit të NEQ-it si dhe dokumenti politik i samitit. Në dokumentin final të samitit, të gjithë kryetarët e qeverive, mes të tjerash, mbështetën angazhimin e KE-së për të liberalizuar regjimin e vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe, në veçanti u theksua nevoja që të merret sa më parë vendimi për të liberalizuar vizat me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›