PD-PS konsensus në KQZ
Pas një beteje të gjatë ligjore dhe politike në tavolinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është rikthyer harmonia. Për herë të parë që nga nisja e përgatitjeve për procesin zgjedhor, shumica e djathtë në këtë komision ka besuar tek opozita dhe ka pranuar të zhvillojë mbledhjen e djeshme pa patur shumicën e nevojshme për të marrë vendime. Në mbledhjen djeshme, megjithëse mungonte anëtarja e djathtë e komisionit, Vera Shtjefni, është bërë e mundur që të votohen të katër vendimet që ishin në rendin e ditës, pasi pro kanë votuar dhe dy anëtarët e majtë Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj. Natyrisht çështjet që diskutoheshin në këtë mbledhje ishin jo të një rëndësie të veçantë, megjithatë nëse anëtarët e majtë do kishin patur ndonjë pretendim të caktuar mund të kishin votuar kundër dhe aktet e propozuara për miratim mund të rrëzoheshin. Por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe KQZ mundi të miratojë me konsensusin e të dyja palëve ndarjen e mandateve në tri komuna, Mollas-Kolonjë, Pishaj dhe Shllak, si dhe strukturën e buletinit për zgjedhjet e vitit 2011.