Berisha takon Klinton, jep garanci për dosjet e zgjedhjet
TIRANË- Zbatimi me përpikmëri i ligjit të lustracionit dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme ishin dy garancitë, që kryeministri Sali Berisha i dha Sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton në takimin me këtë të fundit.
Pas takimit të zhvilluar, Zëvendës-ndihmësi i Sekretares së Shtetit Stjuart Xhons u shpreh se Sekretarja amerikane e shtetit e ka pyetur Berishën për ligjin e lustracionit, ndërsa ky i fundit e ka siguruar se nuk do të ketë gjueti shtrigash. Edhe pse prej kohësh, PD ka filluar një sulm të ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeministri e ka siguruar sekretaren e amerikane të shtetit se qeveria nuk do të ndërhyjë në proceset kushtetuese.
"Ne nuk i bëmë ndonjë sugjerim Kryeministrit lidhur me këtë ligj, por ai vetë na dha sigurimet, të cilat ne i mirëpresim", shtoi Xhons. Ndërsa kryeministri Sali Berisha deklaroi pas takimit se, përpos ligjit të lustrimit, e kishte siguruar sekretaren e shtetit Klinton edhe për zgjedhje të lira e të ndershme në muajin Qershor.
"Takimi ishte një rast i shkëlqyer për mua për të siguruar Sekretaren se zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje të lira e të ndershme, për të kërkuar vëzhgues nga qeveria e SHBA-ve dhe vendeve të tjera mike që t'i mbikëqyrin, monitorojnë zgjedhjet për të cilat, së pari, qeveria është e angazhuar të nderojë standardet, por të nderojë dhe miqtë kudo në botë",- tha ai.
Trupat në Afganistan
Një tjetër temë e diskutuar dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe Sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton ishte edhe Afganistani. Kryeministri Berisha njoftoi pas takimit se, Shqipëria do të çojë një kompani shtesë, më tepër se 100 trupa.
"Një temë shumë e rëndësishme që diskutova me Sekretaren ishte Afganistani. I shpreha gatishmërinë që Shqipëria të çojë edhe një kompani shtesë. Presidenti Obama dhe administrata e tij janë të përqendruar në Afganistan. Shqipëria ka atje 225 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë dhe është e gatshme të shkojë në 350",- tha ai.
Berisha tha se, gjatë takimit me Klinton ka diskutuar edhe për energjinë, ndërkohë që nuk i është përgjigjur pyetjes direkte të një gazetari, se a do të ishte e gatshme Shqipëria që të pranonte njerëz nga baza e Guantanamos, pas mbylljes së saj. Berisha e ka shmangur përgjigjen konkrete, duke theksuar vetëm faktin se qeveria shqiptare e përshëndeste vendimin e Presidentit Obama për mbylljen në afatin e duhur të këtij burgu.