Rama merr në mbrojtje Topin: Nuk jemi celulë anti-evropiane
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjeti dje një tjetër mënyrë, veç editorialit, për t'iu përgjigjur akuzave të shumta që vijnë ndaj tij nga kampi i djathtë, këtë radhë duke marrë në mbrojtje fare hapur, presidentin e zgjedhur nga mazhoranca. Kreu socialist, shfrytëzoi faqen e tij në rrjetin social "Twitter" për të replikuar ironikisht në distancë me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila mesditën e djeshme e cilësoi sërish si një celulë anti-evropiane së bashku me Presidentin Bamir Topi. Replika përfshiu edhe kryeministrin: "Nëse Presidenti dhe unë jemi një celulë anti-evropiane atëherë Jozefina është Marelyn Monroe, kurse Saliu John Lennon", shkruan Rama në faqen e tij të internetit, duke u renditur kështu në radhën e politikanëve që preferojnë t'i shfrytëzojnë blogjet e internetit për qëndrime të shkurtra. Reagimi erdhi pasi kryeparlamentarja Topalli, për të dytën herë e cilësoi publikisht dje si një celulë anti-evropiane. Madje përfshiu këtu edhe Presidentin e vendit Bamir Topi.