Rama mund ta rrëzojë qeverinë me një qime floku të pastër
Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti sfidon kryesocialistin Edi Rama, duke e ftuar të kryejë analizat e flokëve, për substancat narkotike, në këmbim të dorëheqjes së tij nga të gjitha funksionet publike. Pas drojës për ta çuar çështjen në gjyq, kjo është ftesa e dytë publike për transparencë, lidhur me varësinë e Edvinit nga droga si dhe orientimin e tij seksual
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti, vazhdon të mbrojë akuzat e adresuara në drejtim të kreut të PS-së Edi Rama, për përdorim të substancave të ndaluara. Gjatë një konference për shtyp ministri Prifti ka theksuar se do të largohet nga politika nëse kreu i opozitës kryen analizat dhe nëse ato dalin në rregull.
“I bëj thirrje Ramës të bëjë publikisht analizat e flokut dhe të gjakut dhe në atë ditë që këto analiza dalin në rregull unë jap dorëheqjen”, u shpreh Prifti, duke sfiduar zyrtarisht kryetarin e socialistëve në një betejë tepër të ndjeshme për të dhe partinë e tij.
“Unë para disa kohësh e kam akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste për përdorim lëndësh narkotike. E kam parë atë me sytë e mi, në zyrën e vet, duke përdorur kokainë.
Si e shpjegoni të nderuar gazetarë dhe si gjykoni ju shqiptarë që Edi Rama, për një akuzë kaq të rëndë që unë ja kam bërë me zë dhe me figurë përpara gjithë opinionit publik, akoma sot nuk ka dhënë një përgjigje? Shqiptarët duan një përgjigje nga Edi Rama. është ai dhe a ka qenë përdorues droge? Le të dalë Edi Rama dhe të thotë ‘po’ ose ‘jo’. Mos të nxjerrë ushtarët e vet për të bërë shpifje dhe akuza, por të përballet me të vërtetën sepse shqiptarët duan ta dinë kë kanë në krye të opozitës. Ky njeri kërkon edhe të dalë në krye të pushtetit. A jemi ne si shqiptarë të gatshëm të mandatojmë në krye të pushtetit një njeri, i cili merr drogë? Një njeri, i cili është i varur nga lëndët narkotike? Pra, Edi Rama lë të dalë njëherë me burrëri dhe të thotë është i droguar apo nuk është i droguar. Dhe pasi të thotë Edi Rama që nuk është i droguar unë do t’i paraqes opinionit publik shqiptar të gjithë provat që unë kam, përveç atyre që i kam parë me sytë e mi, për toksikimin e tij.
Unë i bëj dhe një sfidë tjetër Edi Ramës. Le të dalë dhe të bëjë publikisht analizat e gjakut dhe analizat e flokut, të cilat tregojnë nëse ai ka qenë përdorues lëndësh narkotike dhe nëse ai vazhdon të jetë përdorues lëndësh narkotike. Le të zgjedhë ai një klinikë, shqiptare apo të huaj, të pavarur, që ti bëjë atij publikisht analizat dhe të ketë detyrimin përpara shqiptarëve që të thotë të vërtetën, është Edi Rama i droguar apo jo.
Në qoftë se analizat publike, transparente dhe në një institucion të pavarur, do ta nxjerrin atë jo përdorues lëndësh narkotike unë atë ditë jap dorëheqjen dhe dorëzoj mandatin tim të deputetit”, deklaroi ministri i Ekonomisë, duke sjellë në vëmendje se nëse analizat e nxjerrin atë të pastër ai do të dorëzojë mandatin e deputetit dhe portofolin e çdo funksioni politik që mban.
“Nëse Rama do të plotësojë kureshtjen e shqiptarëve, detyrimin që ka përpara opinionit publik, se është zyrtar i lartë i këtij shteti, duke bërë analizat në një institucion të tillë, në atë ditë që ato e nxjerrin atë të pastër unë dorëzoj mandatin e deputetit dhe nuk merrem më me politikë, shkoj shoh punën dhe hallet e mia. Nëse ai ka frikë të përballet, i them hajde t’i bëjmë bashkë. Po i bëj dhe unë në të njëjtin institucion analizat e mia, bashkë me analizat e Edit. Po i bëj unë i pari. Prandaj i bëj thirrje këtij kryetari të opozitës të respektojë shqiptarët, të respektojë të vërtetën, të ndalojë shantazhin, të ndalojë shpifjet dhe t’i flasë popullit të vet vetëm të vërtetën. Transparencë, transparencë dhe vetëm transparencë”, tha Prifti.
Lidhur me akuzat e PS-së për fshehje të pasurisë ministri Prifti i cilësuar si shpifje të radhës theksoi se ai do të depozitojë në prokurori një padi për shpifje.
“Akuzat për pasurinë time janë shpifjet e radhës të PS-së dhe Ramës, por unë kam autorizuar avokatin tim që bëjë kallëzim penal për shpifje. E them me përgjegjësi të plotë, morale, ligjore e politike, as kam, as kam pasur dhe as kam në plan të kem ndonjë vilë këtu ku thonë këta, e aq më shumë të padeklaruar në deklaratën time të pasurisë. Pra, është thjesht shpifja e radhës, shpifje për të cilën unë sot kam autorizuar avokatin tim, që të mbledhë dhe të gjitha shpifjet e ditëve të fundit të Zërit të Popullit dhe të përfaqësuesve të PS, të bëjë kallëzim penal për shpifje në institucionet e shtetit ligjor”, shtoi ai.
Gjithashtu, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti i bëri thirrje Inspektoratit të Deklarimit të pasurive që të përfshijë në listën për hetimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë edhe emrin e tij.
“çuditem se si Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive deri tani nuk ka bërë asnjë lloj deklarate në lidhje me gjithë këto shpifje. E shfrytëzoj momentin për ta ftuar ILDKP të bëjë një hetim sa më të shpejtë, sa më të plotë dhe sa më të thelluar të pasurisë sime, të të gjitha viteve të shkuara. Të verifikojë dhe të informojë sa më shpejt publikun, si zëri i pavarur dhe i së vërtetës, që shpifjet, si puna e kësaj të ‘Zëri i Popullit’, të marrin fund njëherë e mirë. Shpresoj që Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, menjëherë ta përfshijë emrin tim, pavarësisht se nuk ka rënë shorti për të hetuar, në listën e atyre zyrtarëve të lartë të cilëve do tu hetohet pasuria dhe t’i drejtohet sa më shpejt opinionit publik, me të vërtetën e plotë. Unë e them dhe njëherë, përveç shpifjes së sotme që më kanë nxjerrë dhe një vilë tjetër, të gjitha ato që ka përfolur Partia Socialiste, gazeta e tyre apo përfaqësues të tjerë, janë pasuri të deklaruara nga vetë unë dhe jo të zbuluara si të padeklaruara nga ata”, tha më tej në reagimin e tij publik, Dritan Prifti.
E vërteta nga analiza e fijeve të flokut të Edi ramës, si pjesë e rëndësishme me interesa të gjera publike, duket se do të jetë “sfida” e ardhshme jo vetëm e mjekësisë, apo edhe e drejtësie shqiptare. Aq rëndësi merr kjo e vërtetë, sa që, me gjithë akrobacitë e tij Edi Rama, nuk mund t’i shpëtojë kësaj analize. Dhe për të triumfuar kjo e vërtetë, rrjedha e ngjarjeve po tregon se është e pashmangshme sigurimi edhe i qoftë një fije të vetme floku e Edi Ramës do të sigurohet, si “kavie” për analiza. “Problemi”, i vetëm është tashmë, në se kjo fije floku, do të sigurohet te berberi ku ai qethet, apo nëpërmjet ndonjë tjetër mënyre...