E Diel, 1 Nëntor 2026

“Thirrjet destabilizuese të Ramës, të pashpresa - të merret me buxhetin e pamiratuar të bashkisë”

Ministri i Financave Ritvan Bode përgënjeshtron akuzat e opozitës për ndryshimet në buxhetin e 2010-ës

Ministri Bode sqaron se shkurtimet në buxhet janë vetëm 9 për qind dhe jo 25 për qind siç i lexon shifrat Edi Rama. Sipas tij ndryshimet në buxhet nuk janë tabu, pasi bëhen me qëllim përmirësimin e financave publike, në një kohë kur ekonomia rajonale dhe ajo botërore janë nën hendekun e një prej krizave më të ashpra

Kreu i financave, Ridvan Bode, reagoi dje pas akuzave të kryetarit të socialistëve Edi Rama, se ndryshimet në buxhet thellojnë më tepër krizën. Ministri Bode tha se shtrembërimi i shifrave nga Edi Rama dhe thirrjet e tij destabilizuese janë të pashpresa, pasi Shqipëria gëzon një ekonomi të shëndetshme që i shpëtoi edhe ndikimeve të recensionit global. “Edhe një herë Rama shtrembëron të vërtetën kur thotë se buxheti i shtetit i vitit 2010 është pakësuar me 25 për qind, në një kohe kur nga të gjithë u konstatua se gjithë shkurtimet shkonin jo më shumë se 9.5 për qind e programit fillestar të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë vitin e kaluar. Rama akuzon për mungesë transparence dhe shifrash, për mungesë informacioni. Në të vërtetë të gjitha informacionet ekzistojnë, të gjitha të dhënat sasiore për 6 mujorin e parë janë në dispozicion të publikut si nga Ministria e Financave ashtu dhe nga INSTAT-i dhe Banka e Shqipërisë, por që sigurisht nuk janë me formatin dhe me të dhënat që do dëshironte Edi Rama për të mallkuar dhe akuzuar ekonominë shqiptare si një ekonomi në krizë”, u shpreh ministri i Financave.
Bode tha se ekonomia shqiptare nuk është në krizë dhe se kjo është vërtetuar dhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas kreut të Financave, thirrjet e Ramës janë shtrembërime dhe dezinformime të pazakonshme.
“Edi Rama vijon t’i bjerë fyellit në vrimën e tij se ekonomia shqiptare është në krizë ndërkohë që jo më larg se një javë më parë nga FMN u deklarua se është një rritje më e madhe nga sa ne e kishim shpresuar në një kohë kur nga raporti i 6 mujorit të parë i Komisionit Europian për vendet para anëtarësimit, vendet e rajonit tonë, konfirmoi të njëjtat gjëra, se ekonomia shqiptare vazhdon të mos përfshihet në krizë, se ekonomia shqiptare ka një rritje pozitive ndryshe nga sa po ndodh me ekonomitë e rajonit dhe më gjerë. Në vazhdën e shtrembërimeve dhe të dezinformimeve, Rama vijon të akuzoje se shkurtimet ishin të panevojshme, në një kohë kur tashmë dihej nga të gjithë se nevoja për shkurtime të tilla ishte tashme e njoftuar, dhe e kërkuar dhe nga vetë opozita, se në këtë vit, në vitin 2010 ne nuk mund të shpresonim realizimin e të ardhurave 20 për qind më shumë nga fakti i vitit 2009 kur viti më i mirë i ekonomisë në ekonominë e Shqipërisë, viti 2008 ka pasur një rritje me 15 për qind ndërkohë që qeverisja e partisë së Ramës ka realizuar një rritje ekonomike që nuk i ka kaluar asnjëherë 10 për qind krahasuar me këtë vit”, tha ministri i Financave.
Lidhur me mos realizimin e të ardhurave dhe për një performancë të dobët ekonomike, çështje këto të pretenduara nga Rama, ministri Bode tha se kryetari i socialistëve do kishte mirësinë që të paktën të krahasohej ajo çka po ndodh sivjet me ekonominë shqiptare, në një vit presioni të madh të krizës së ekonomisë globale dhe rajonale, me atë që ka arritur qeverisja e partisë së Ramës në vitin e saj më të mirë, se si 6 mujor nga 56 miliardë lekë të arkëtuara në vitin 2004, viti me të ardhurat më të mëdha historike të qeverisjes socialiste, janë arkëtuar si 6 mujor të këtij viti ( flas për tatimet dhe doganat) 104 miliardë lekë dhe po kështu dhe të ardhurat e tjera nga 85 miliardë lekë në 150 miliardë lekë.
“I vetmi zë që nuk ka njohur progres nga viti 2004 deri më sot janë të ardhurat nga pushteti vendor, nga 5.9 miliardë që janë realizuar në 6 mujorin e parë të vitit 2004 në 6.3 miliardë në vitin në vijim. Progres 5 vjeçar i parëndësishëm, hapa mbrapa për të mos u krahasuar me një vit më parë apo me vite të tjera me një performancë më të mirë nga administratat vendore. Rama akuzon se nuk u bë rritje e mjaftueshme e pagave. Në të vërtetë rritja e pagave ishte më e larta si masë edhe e akorduar ndonjëherë administratës dhe gjithë përfituesve të buxhetit të shtetit. Rama akuzon se pensionet nuk u rritën në madhësi të mjaftueshme krahasuar me atë që ka pasur qeverisja e tij apo edhe që ka deklaruar programin e vetë Rama me kompani. Unë i kujtoj Ramës se në vitin më të mirë, në 6 mujorin më të mirë të qeverisjes socialiste, viti 2004 niveli i pensioneve të shpërndara, vëllimi total i pensioneve të shpërndara qytetarëve ke qenë vetëm 23 miliardë lekë, kurse në 6 mujorin e parë të vitit në vijim janë akorduar 49 miliardë lekë pensione të shpërndara në xhepat e qytetareve, në xhepat e pensionistëve, pra një rritje mbi 2 herë”, deklaroi ministri i Financave, Ridvan Bode.
Ministri i Financave vërejti se ndryshimet në buxhetin e Shtetit për vitin 2010-ë, sjellin një kontribut të çmuar në fuqizimin e mëtejshëm të stabilitetit makroekonomik të vendit dhe në përdorimin më efiçent dhe efikas të fondeve publike. Mbështetet rritja ekonomike dhe njëherazi mundësohet një mirëqenie më e mirë shoqërore.
Kreu i Financave theksoi se opozita shqiptare po demonstron një nivel të ulët të demonstrimit të alternativave politike.
Në një debat të zgjatur, opozita dëshmoi edhe njëherë se është pa një alternativë, pa një program për t’u ballafaquar me qeverinë, pa një zgjidhje rreth zhvillimeve ekonomike në Shqipëri, por dhe në kuadrin e zhvillimeve të ekonomisë botërore, të krizës së thellë që ka përfshirë këtë ekonomi, duke zëvendësuar diskutimin alternativ thjesht me mohime, me shtrembërime dhe me një kriticizëm të pabazë dhe bosh. Për të treguar këtë boshësi në kampin e opozitës, dje kreu i opozitës Rama, përsëriti ato që dy ditë më parë u kishte dhënë tellallëve të tij në Kuvendin e Shqipërisë, dhe që konsistojnë në shtrembërime, në dyshime dhe në sharje e thirrje tërësisht destabilizuese të pashpresa për opozitën”, vuri në dukje më tej, ministri i Financave, Ridvan Bode.

Ndryshimet në ligjin e buxhetit të shteti
- Shkurtime të shpenzimeve në 39 miliardë lekë
- Ulje e deficitit vjetor nga 4 në 3.2 për qind dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit publik
- Ekonomia shqiptare pati një rritje prej 3.3 për qind dhe tremujori i pare i këtij viti konfirmon, po ashtu, një rritje prej 2.2 për qind
- Qeveria vjen për të propozuar një model buxhetimi, i cili bazohet në një rritje ekonomike prej rreth 4.1 për qind për vitin 2010
- Të ardhurat e realizuara në përfundim të gjashtëmujorit janë 3.3 për qind më shumë sesa gjashtëmujori i vitit të kaluar
- Niveli i shpenzimeve qeveritare përgjysmohet përmes kësaj mase. Në raport me PBB, nga 1.5 për qind në vitin 2005 në 0.7 për qind në buxhetin aktual.
- Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes do të pësojnë uljen më të madhe. Do të jenë rreth 17.5 për qind më të ulëta.
- Përmes këtij operacioni, ne, përsëri, mbajmë borxhin publik nën nivelin 59.5 për qind e PBB.
- Deficiti vjetor programohet të ulet nga 4 për qind në 3.1 për qind të PBB, duke arritur kështu nivelin më të ulët historik të deficiteve të realizuara dhe të programuara ndonjëherë në Shqipëri.
- Me gjithë këto ulje, që duket se është e qenësishme, përsëri investimet publike në Shqipëri mbeten mbi 5 për qind e PBB, çka do të thotë se janë, jo vetëm niveli më i lartë në të gjithë rajonin tonë, por edhe niveli me i madh nga investimet publike në vitet 2002-2003-2004, në raport me PBB të secilit prej viteve.
- Mbahen në nivele të njëjta me ato të programuara shpenzimet për buxhetet sociale, duke arritur përmes këtij buxheti nivelin 8.9 për qind të PBB nga 6.7 për qind e PBB në vitin 2004.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›