Rilindja e Ramës, si platforma totalitariste e “ndreqjes” së shqiptarëve
Në historinë politike me shumë zigzage të shtetit shqiptar 100-vjeçar ka pasur gjithmonë njerëz të “frymëzuar” për të ndrequr “drurin e shtrembër” të shqiptarëve. Është e filozofit gjerman Kant ideja se asnjeri në tokë s’e ka në dorë përsosmërinë “nga druri i shtrembër si ai që ka krijuar njeriun, nuk mund të ndërtosh asgjë të drejtë”. I pari në listë që e ka thënë shqip këtë frazë ka qenë, më duket, Faik Konica, që për nga ironia tha se “Shqipëria u bë, le të bëjmë shqiptarët”. Ndërsa Konica e kishte me shpoti, i fundit që ka shprehur dëshirën për të “ndrequr” shqiptarët është kreu i PS, Edi Rama. Madje ai flet për “rilindje” jo si metaforë, por si hyrjen në një inxhinieri njerëzore, pak a shumë si utopia komuniste e “njeriut të ri”.
Me një llaf Rama ka hyrë në listën e atyre njerëzve që kanë shprehur dëshirën për të shndërruar nga e para zakonet, mënyrat e jetesës dhe deri bindje kolektive të qytetarëve. Fjalimet politike të Ramës janë plot me gjetje verbale negative të llojit Shqipëria e rrënuar, demokracia e përdhunuar, drejtësia e vdekur, etj. “Ka nevojë për një nisje nga fillimi”, sipas Ramës, kësisoj e për rrjedhojë na paska ka gjetur formulën për të “ndrequr” punët dhe shqiptarë. Sigurisht Rama vështirë se mund ta mohojë. Në fillimet e karrierës politike Rama, edhe pse i “frymëzuar” tejmase, ishte jashtë strukturave, prandaj dukej trendi me vëth në vesh, brekushe shumëngjyrëshe, muzikë rep e turbofolk, me sëpatë dhe megafon në dorë, i pamartuar sepse i kushedi sa herë i divorcuar me letra.
Mirëpo sot që po flasim ai ka hyrë brenda strukturës mendore shqiptare, pa vëth, pa brekushe, pa sëpatë dhe megafon, i martuar me letra, etj. Natyrisht frymëzimi nistor mbetet i njëjtë: të jetë “një Kalë Troje i së Mirës, në barkun e një Kështjelle të së Keqes!”, kështu ka thënë në fillimet e karrierës politike. Qysh në fillim të karrierës politike Edi Rama ka pasur mendimin se shqiptarët janë thellësisht gabim, të paktën mazhoranca e tyre, dhe detyra e atij që qeveris është të ndërhyjë në trupin e gjallë të kombit për të ndrequr deviacionet dhe të rregullojë moralitetin dhe funksionimin. për kujtesë në vitin 1995, kreu i sotëm i socialistëve, piktori Edi Rama paraqiti në France kryeveprën e tij artistike si e përfytyronte Shqipërinë; ai paraqiti një bunker me lecka-lecka dhe e titulloi “Kjo është Shqipëria”. Shqiptarët për të janë leckamanë dhe duhet me patjetër të vishen, prandaj Rama shpenzon shumë për veshje për të dhënë modelin.
Po ta mendosh është një logjikë ciklike për të “ndrequr” shqiptarët, që ka rekrutuar revolucionarë dhe mesianikë, që mendojnë de dobësia e kombit tonë është një patologji që duhet kuruar me të mira ose me të këqija. Ishte komunizmi që kërkoj të “ndreqte” shqiptarët sipas modelit bolshevik të njeriut të ri, që duhej të hiqej “grami i keq” i liberalëve apo monarkistëve. Zgjodhën centralizmin e njerëzve në Partinë e Punës, anëtarë partie. Zgjodhën centralizimin e pronës dhe ekonomisë, në kolektivizim. Zgjodhët centralizimin e kulturës dhe moralit nëpërmjet Lidhjes së shkrimtarëve. Kulti komunist i “njeriut të ri” (pra, shqiptari i ri) do të ishte instrument i moralizimit kundër degjenerimit të trashëguar nga borgjezia. “Kundër zakoneve prapanike” urdhëronte Enver Hoxha. Dhe gjithë ishin sy e veshë. Sakaq mjerimi dhe dhuna policeske prodhuan gënjeshtrën e veshur me mish njeriu, vetëmohimi i lirisë ndaj nënshtrimi total kolektiv.
Prandaj të gjitha “frymëzimet” për të “ndrequr” njerëzit përfundojnë në platforma totalitariste shtypëse që veçse amplifikojnë anët negative të njerëzve. Është pikënisja e gabuar sepse njeriu nuk duhet “ndrequr” por duhet të jetë i lirë, ngase liria punon, prodhon dhe garanton të drejtat e njeriut. Pikënisja e Ramës për të “rilindur” Shqipërinë dhe shqiptarët është e gabuar sepse është një pikëpamje pesimiste e jetës dhe ngjan se tepërmi më platformat totalitariste të “ndreqjes” së të tjerëve dhe kurrë të vetes. Kur prek të gjithë trupin me gisht dhe shikon se gjithandej të dhemb me siguri është gishti i thyer, ose më saktë i “shtrembër”.