E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e PE, Kukan: E paadoptueshme për Shqipërinë

TIRANË Zhvillimet e fundit politike në vend, që lidhen me miratimin e disa ligjeve me shumicë të cilësuar dhe reformën zgjedhore, janë pritur pozitivisht nga Parlamenti Europian. Kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, dhe eurodeputeti socialist Hannes Swoboda, thanë në një intervistë për TCH

se, për të ardhmen e Shqipërisë, duhet të punojnë së bashku dy forcat kryesore politike. “Po, unë e ndjek nga afër dhe për fat të mirë mund të them se po na vijnë disa lajme pozitive nga Shqipëria. Duke e njohur situatën në vend për një kohë të gjatë, unë do të dëshiroja të më bindin se do të ketë një tendencë të përhershme të atyre lajmeve pozitive. Por ne duhet ta themi se ka patur disa lëvizje në skenën politike dhe çdo gjë dëshmon faktin se ka një dialog të mirë pozitiv mes dy partive politike, gjë të cilën mendoj se duhet ta inkurajojmë me të gjitha mjetet...”,- tha dje Kukan. Edhe Hannes Swoboda u shpreh dje se ndryshimet e fundit janë pozitive dhe se ato kërkojnë gjithnjë bashkimin e dy palëve. “Për të ardhmen e Shqipërisë, dy grupet kryesore politike duhet të punojnë së bashku. Mund të kenë sa të duan grindje, sherre dhe dallime, por përsa i përket reformave për Europën ata duhet të qëndrojnë së bashku. Është shumë e rëndësishme për perceptimin në Europë, se ata nuk duhet të grinden për çështje të tilla”,- tha ai. Por Kukan u shfaq mosbesues lidhur me paktin për rregulloren e Parlamentit, ku palët parimisht kanë rënë dakord që të huazojnë rregulloren e Parlamentit Europian. “Në çështje të tjera ne u tregojmë gjithnjë për standardet europiane, por unë nuk mendoj se kjo është një prej atyre çështjeve ku ata duhet të kopjojnë Parlamentin Europian. Bëhet fjalë për një institucion krejt të ndryshëm, i cili ka një strukturë tërësisht të ndryshme, me përfaqësues nga 27 vende europiane. Pra, ata ndoshta mund të marrin ndonjë lloj filozofie apo parimi, por për situatën konkrete në Shqipëri unë nuk mendoj se është e nevojshme që të kalohet në strukturën e Parlamentit Europian”, - tha Kukan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›