Rama në Korçë, Braçe nuk shkon

Kreu i PS Edi Rama
Kreu socialist zhvillon takim me strukturat lokale dhe u shpërndan tesera të rinjve të FRESSH.
I deleguari i Kryesisë: Iki nga Kryesia dhe nuk e braktis Beratin.
Kreu socialist, Edi Rama, ishte dje në qytetin e Korçës, për të takuar strukturat socialiste dhe shpërndarë karta të reja anëtarësie. Por anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, i deleguar në këtë qark, nuk ishte as dje prezent. Braçe që ditën e parë të miratimit të listës së të deleguarve të Kryesisë e refuzoi shpërndarjen e anëtarëve të Kryesisë larg qarqeve ku ata janë deputetë, duke u shprehur se në këtë mënyrë nuk përfaqësojnë si duhet besimin e marrë nga strukturat dhe zgjedhësit në këto qarqe. Burime nga takimi që është zhvilluar me dyer të mbyllura, ku kishte kryesisht të rinj, pohuan për Panorama se nuk ka pasur asnjë reaksion nga mungesa e Braçes në këtë qark, si i deleguar i Kryesisë, ndërsa Rama më tepër është përqendruar te domosdoshmëria e të rinjve për tu përfshirë në politikë.
Delegimet
Mbledhja e Kryesisë socialiste e 22 janarit të këtij viti miratoi një listë të re të delegimeve të anëtarëve të saj në të gjitha qarqet e vendit, duke i lëvizur ata nga qarqet ku janë zgjedhur deputetë. Përveç Erjon Braçes, pakënaqësi për delegimin sipas vendimit të Kryesisë pati dhe nga deputeti Arben Isaraj, i cili nga qarku i Vlorës u delegua në qarkun e Gjirokastrës. Isaraj la të kuptohej në ditët e para të delegimit se do të zbatonte vendimin e Kryesisë, por që lidhjet më të forta i kishte me socialistët e Vlorës. Braçe e kundërshtoi që në fillim listën e miratuar nga Kryesia. Madje, ai u shpreh se mund të refuzojë qenien e tij si anëtar Kryesie, ndërsa nuk do të tradhtonte sipas tij socialistët e Beratit që e kishin zgjedhur. Refuzimi i Braçes është bërë objekt diskutimesh në profilin e tij në Facebook, kur ka shprehur pakënaqësitë e tij rreth kësaj shpërndarjeje të anëtarëve të Kryesisë, madje dhe ka akuzuar direkt sekretarin Organizativ Klosi, duke kërkuar shkarkimin e tij. Por qëndrimi i Braçes nuk është bërë asnjëherë objekt diskutimi në forumet e PS, si në Kryesinë socialiste, Grupin Parlamentar apo dhe Asamblenë Kombëtare. Madje, në mbledhjen e fundit të Kryesisë socialiste Braçe nuk ishte prezent, duke shmangur një debat të pritshëm. Mungesa e tij dje në Korçë, ku prezent ishte edhe Edi Rama, pritet të mos kalojë pa një qëndrim të forumeve të PS. Vajtja e Ramës dje në Korçë pritej të zyrtarizonte pjesëmarrjen e Braçes në këtë qark, pas një periudhe reflektimi të tij, kur asnjë nga anëtarët e Kryesisë nuk e kishte thyer apo dalë kundër tij.
Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke iu drejtuar të rinjve të sapoanëtarësuar në PS, u shpreh se ata jo vetëm duhet të hyjnë në Partinë Socialiste, por duhet të jenë pjesë aktive e saj. Jo vetëm të hyni, por duhet të jeni edhe pjesë aktive e PS. Pa e ndryshuar politikën, asgjë tjetër nuk ndryshon dot. Partia Socialiste është hapësira ku njerëzit mund të realizojnë dëshirat, aspiratat, ambiciet. Bashkë mund ta ndryshojmë politikën, u shpreh Rama. Duke i ftuar të rinjtë të mos rrinë larg politikës, Rama tha se vetëm së bashku mund të luftohet papunësia rinore. Mos i qëndroni larg politikës, sot papunësia pret të rejat dhe të rinjtë që dalin nga universitetet. Të luftojmë së bashku kundër kësaj padrejtësie. Me kapërcimin e pragut të Partisë Socialiste, jeni një burim më shumë energjish, idesh dhe forcash, u shpreh Rama.
Anëtarësimet
Kryesocialisti Rama ka zhvilluar një takim me të rinj, një pjesë e të cilëve kanë marrë teserën e anëtarit të FRESSH-it. Rama shoqërohej në këtë takim nga sekretari Organizativ Blendi Klosi, deputetja e këtij qarku Olta Xhaçka dhe sekretari për Rininë dhe Emigracionin Erjon Veliaj. Mos i lini vetëm prindërit tuaj në betejat e tyre, prindërit tuaj luftojnë çdo ditë me varfërinë, luftojnë çdo ditë me korrupsionin. Sot duhet luftuar edhe për ta, është shprehur Rama.
Delegimet
Kryesia e PS vendosi të largojë Ben Blushin nga qarku i Korçës dhe ta dërgojë atë në qarkun e Elbasanit. Ndërsa Erjon Braçe bashkë me sekretarin për Programin, Ilir Beqja, do të mbulojnë qarkun e Korçës. Pandeli Majko është deleguar në qarkun e Dibrës bashkë me Shkëlqim Canin, ndërsa Arben Malaj bashkë me Besnik Baren është deleguar në qarkun e Kukësit. Valentina Leskaj është deleguar në Vlorë së bashku me Fatmir Xhafajn, ndërsa Arta Dade në Tiranë, së bashku me Sajmir Tahirin.
A shkelen standardet e BE-së me varësinë e Prokurimeve nga Berisha?
Erjon Braçe
Deputeti socialist, Erion Braçe, anëtar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, reagon ndaj deklaratës së bërë nga BiznesAlbania lidhur me prokurimet publike. Në profilin e tij në Facebook, Braçe jep alarmin ndaj shqetësimit të ngritur nga grupimi i biznesmenëve të BiznesAlbania, sipas të cilëve tenderat po i fitojnë vazhdimisht vetëm pesë kompani. Një grupim biznesmenësh i quajtur BiznesAlbania i treguan ambasadorit të BE-së në Tiranë, zotit Sekui, se kontratat publike përmes tenderave po i marrin 5 kompani, po të njëjtat gjithnjë; kjo tregon se nuk ka as garë e as konkurrencë! Por me qetësinë e tij sfiduese, ambasadori Sekui iu përgjigj: Shqipëria se ka humbur ende tetorin për të marrë statusin e vendit kandidat në BE!!, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook. Sipas tij, problemi i madh i shqiptarëve është korrupsioni në rritje. Halli ynë ambasador është korrupsioni këtu! Është vjedhja e parave publike këtu! Është shkatërrimi i bizneseve për shkak të mungesës së konkurrencës këtu! Është kapja me dhunë, favore politike e kriminale nga një grusht njerëzish të politikës po këtu! Ambasador, kam një pyetje: Varësia prej Kryeministrit e Komisionit të Prokurimeve Publike është në një linjë me kërkesat e BE-së, apo jo? Përgjigjen e dua sot, jo me raportin tjetër të regresit të Shqipërisë!, shprehet në Facebook deputeti socialist, Erjon Braçe.
ARISTIR LUMEZI
