E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë, PDIU merr dy zv.ministra

Berisha dhe Idrizi

Tahiri kundër: Nuk jam në dijeni, janë pjesë e pazareve.

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet bëhet pjesë e qeverisë në nivel zv.ministrash. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave janë miratuar dy vendime për të emëruar Ardian Tanon si zv.ministër të Arsimit dhe Shkencës dhe Abaz Hadon, zv.ministër të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas një kohe të gjatë negociatash, PD-ja dhe PDIU-ja kanë bërë edhe emërimet e para në nivele të larta. Burime nga selia blu bëjnë të ditur se gjatë javëve në vijim PDIU-ja do të sjellë edhe dy emra të tjerë për postet e zv.ministrave. Me emërimet e fundit, Ministria e Turizmit është tashmë institucioni me numrin më të madh të zv.ministrave. Aktualisht në këtë detyrë janë kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi, përfaqësuesi i Partisë Republikane, Dashnor Bajaziti dhe Suzana Turku. Por pas miratimit të vendimeve në qeveri ka reaguar dhe deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri. Në një komunikim me mediat, ai është shprehur se nuk ka pasur dijeni për këto emërime. Ju shpreh opinionin tim në lidhje me emërimet e sotme të dy zëvendësministrave të PDIU-së. Ju bëj me dije që unë dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të Partisë nuk kishim dhe nuk kemi asnjë dijeni derisa sa pamë në titra emërimet e sotme. Në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, deklaroj që ky nuk është një vendim forumesh, por një vendim personal i kryetarit, është shprehur Tahiri. Sipas tij Jam tërësisht i indinjuar të marr vesh këtë lajm nga mediat, tërësisht i indinjuar që vendime të tilla kryhen në kundërshtim të plotë me vullnetin vendimmarrës të PDIU-së. Sot nuk është marrë parasysh Vlora dhe Saranda, si qytete të një qarku që nxori deputetin e parë të PDIU-së. Nuk u morën parasysh Fieri e Lushnja, që veç për mangësi elektorale dhe për pak vota partia humbi mandatin e dyte. Unë, deputeti Dashamir Tahiri, deklaroj publikisht që nuk bëhem pjesë e këtyre pazareve dhe distancohem nga këto veprime personale të cilitdo qofshin ato.

Cilët janë zv.ministrat e rinj
Ardian Tano, zv.ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës, mban aktualisht postin e kryetarit të shoqatës Çamëria. Kjo shoqatë ishte edhe porositësja e konkursit për varrezat e Kllogjerit. Ndërsa Abaz Hado, i cili do të mbajë detyrën e zv.ministrit të Kulturës, është kryetar për Tiranën i degës së Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›