E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja Ruçi dhe problemet e mëdha me drejtësinë

28-01-2012 / Gazeta 55

Djali problematik Ledio Ruçi pasi s’kreu dënimin, për aksidentin me pasojë vdekjen e një 28 vjeçareje në Tiranë, falë dështimit të organeve hetimore dhe frikës së Prokurorisë për t’i komunikuar veprën penale, mbrëmë në orët e vona të natës është shoqëruar për në komisariatin e Policisë së Durrësit, për armëmbajtje pa leje, shkelje të normave të qarkullimit si dhe mos bindje të urdhrit të policisë


Ledio Ruçi, djali i deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, njihet si mbartës i një serie veprash penale, por gjithmonë ia ka hedhur pa u dënuar. Jo për mangësi ligjore, por prej paaftësisë së organeve hetimore si dhe hezitimit të organit të akuzës për t’i komunikuar veprën penale! Vetëm pak kohë më parë Ledio Gramoz Ruçi aksidentoi për vdekje te Rr.Elbasanit një 28 vjeçare. Bëri vetëm 24 orë para-burgim dhe ekspertiza shpalli “fajtore” të ndjerën, e cila e ndodhur në një automjet modest, mini-cuper, u përplas nga makina luksoze e Ledio Ruçit, BMW X 6. Mbrëmë në mesnatë, djali problematik u shoqërua në Polici, pasi pas një kontrolli rutinë në makinën “Wolswagen Touareg”, forcat e Policisë së Durrësit kanë gjetur një armë pa leje. Djali i deputetit të PS po udhëtonte me dy shokë të tij nga Gjirokastra për në Tiranë, por nuk ka qëndruar në postbllokun e Policisë së Gjirokastrës. Në momentin që forcat e Policisë i kanë bërë shenjë që të ndalojë djali i Ruçit nuk i është bindur urdhrit të policisë, por është larguar me shpejtësi në drejtim të Tiranës. Kanë qenë forcat e Policisë së Durrësit që rreth orës 18.40, kanë ngritur një postbllok për ndalimin e makinës me të cilën po udhëtonte Ruçi me dy shokët e tij. Pas një kontrolli të imtësishëm, forcat e policisë kanë gjetur një armë sportive pa leje në makinën që drejtonte djali i deputetit të PS, por armën e ka marrë përsipër njëri nga shokët e tij. Policia e Durrësit bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, të premten rreth orës 18.40, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi Plepa” në Durrës, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Durrës u bë ndalimi me qëllim verifikimi i automjetit tip “Volswagen Touareg” me targa TR 0141 Z. Në kohën kur ky mjet po udhëtonte nga Gjirokastra në drejtim të Tiranës, drejtuesi i tij nuk iu është bindur shërbimeve të policisë për ndalim dhe verifikim të dokumentacionit të mjetit. Sipas policisë, nga verifikimi i kryer rezultoi se, drejtues i automjetit ishte shtetasi Ledian Ruçi, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe së bashku me të, në mjet udhëtonin edhe shtetasit Lori Kelolli dhe E. Malaj, 22 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit, në automjetin e lartpërmendur u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive, pushkë pa numër serie, që dyshohet se posedohej nga shtetasi Lori Kelolli, 23 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të gjahut dhe sportive. Materialet proceduriale për këtë vepër do t’i përcillen Prokurorisë së Rrethit Durrës. Pas verifikimeve të kryera nga Njësia e Qarkullimit Rrugor Durrës, automjeti me targa TR 0141 Z rezultoi pa dokumentacionin përkatës dhe u bllokua administrativisht për veprime të mëtejshme. Kuptohet qartë se sa kohë Ledio Gramoz Ruçi t’ia hedhë paq drejtësisë dhe ligjit, problemet e familjes Ruçi me ligjin do jenë gjithnjë e më të aktualizuara. Problemi më i madh i takon sigurisë publike, pasi një mbartës i disa veprave penale, deri me pasojë vdekjen, është një rrezik i madh për rendin dhe qetësinë. Çdo qytetar është i rrezikuar nga këta pinjollë të pabindur që s’njohin ligjin dhe shtetin ligjor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›