E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Shkodër: Shqipëria drejtohet nga një komunist

 

Edi Rama sulmoi nga Shkodra Kryeministrin Berisha, duke e cilësuar atë një komunist të pastër. Kryetari i opozitës zgjodhi kryeqendrën e veriut, Shkodrën, për të prekur një nga temat e forta të komunizmit, pikërisht në zonën ku rezistenca ndaj komunizmit ka qenë më e fortë se kudo. Në takimin me rrjetin e vullnetarëve në Shkodër, Edi Rama shigjetoi ashpër kundërshtarin e tij politik, kryeministrin e vendit. “Nuk mund të parafytyronte askush që 18 vjet më vonë, Shqipëria do të ishte në duart e një komunisti. Ka plot 18 vjet që papunësia rritet dhe 4 vjet të tjera si këto janë të papërballueshme”, u shpreh Rama. Kreu socialist akuzoi qeverinë e djathtë si të zhytur thellë në korrupsion, duke nisur nga familja kryeministrore. Rama përsëriti akuzën më të fortë të socialistëve ndaj qeverisjes, atë për korrupsion, kur tha se “korrupsioni thith energji dhe të ardhura nga organizmi i shoqërisë për t’i derdhur në xhepat e oborrtarëve të pushtetit, teksa politikanët në pushtet betohen se do ta shfarosin korrupsionin”. “Asnjëherë më parë, shqiptarët nuk e kanë patur më të pastër rastin për t’u ndarë nga e vjetra, se më 28 qershor”, u shpreh Rama. Rama u bëri thirrje vullnetarëve në Shkodër të mos lenë bosh vendin që i takon në betejën mes së ardhmes dhe së shkuarës, si një nga rrugët më të mira siç argumentoi ai për të lënë gjurmë në histori. “Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për ta provuar këtë të vërtetë të madhe, duke mos e lënë bosh sot vendin që i takon secilit prej nesh në këtë betejë mes të ardhmes dhe së shkuarës. Ky është rasti juaj për të bërë histori miqtë e mi të rinj. Mos e lini të kalojë pa lënë gjurmën tuaj në historinë e re që po fillon”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›