Rama në Strasburg: Të hapen kutitë
Aristir LumeziKreu socialist Edi Rama nisi dje taki-met dy ditore në Strasburg për krizën politike në Shqipëri. I shoqëruar nga sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, dhe nga deputetët Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj, Rama u takua dje me Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Libor Rouèek, i cili njëkohësisht është dhe anëtar i komisionit të marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Evropian. Pas takimit me Rouçek, Rama në një prononcim për mediat tha se në qendër të takimeve me partnerët ndërkombëtarë ishte kriza politike në Shqipëri. “Patëm takime intensive me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, të gjithë dashamirës të vendit tonë, të gjithë të dëshiruar për një zgjidhje të krizës që ka mbërthyer vendin tonë. Padyshim unë ritheksova domosdoshmërinë e transparencës së plotë të procesit e shkuar zgjedhor, për të mos lejuar më që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë i ngjashëm me të shkuarin dhe për t’i dhënë fund korrupsionit elektoral”, u shpreh Rama. Duke folur për nevojën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, kryesocialisti u shpreh se qëndrimin e PS-së ia kishte transmetuar dhe bashkëfolësve evropianë. “Transparencë e plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, të materialeve zgjedhore, dhe për të bërë të mundur që populli shqiptar të shohë në dritën e diellit se çfarë ka ndodhur para, gjatë dhe pas 28 qershorit, dhe njëkohësisht për të krijuar kushtet që administrata zgjedhore në të ardhmen të jetë administrata që garanton vullnetin e popullit dhe çdo komisionar të mos jetë thjesht komisionari i forcës politike që përfaqëson, por qytetari që përgjigjet përpara ligjit për respektimin e tij në procesin më të rëndësishëm demokratik që janë zgjedhjet”, u shpreh Rama. RouçekZëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian ka përshëndetur tryezën e dialogut të iniciuar nga presidenti Topi për t’i gjetur një zgjidhje krizës politike në Shqipëri. “Mendoj se kjo zgjidhje do të ishte më e mira. Unë besoj te ndërmjetësimi i Presidentit, besoj se ai mund ta bëjë dhe besoj edhe se ai ka vullnetin e duhur për të ulur liderin e opozitës dhe kryeministrin në një tavolinë për të gjetur kështu kompromisin që i duhet vendit”, u shpreh europarlamentari çek. Duke folur për transparencën e zgjedhjeve, Rouçek tha se është shumë e nevojshme të kryhet hetimi për këto zgjedhje, që kjo t’i shërbejë jo asaj që ka kaluar, por sidomos së ardhmes dhe që në të ardhmen mos ketë as edhe një problem me zgjedhjet, ashtu siç nga ana tjetër, është e rëndësishme për opozitën që pas këtij kompromisi të futet në Parlament dhe të vazhdojë rrjedhën normale opozitare. Ky do të ishte një rezultat shumë i mirë për të gjithë, veçanërisht për popullin shqiptar. Ai kërkoi dialog mes palëve. “Ajo që nevojitet është që kryeministri dhe lideri i opozitës të ulen në tryezë dhe të punojnë për një kompromis që është në të mirë të vendit”, tha Rouçek. Ai shtoi nga ana tjetër se opozita duhet të njohë zgjedhjet dhe të shkojë në Parlament. “Nëse kjo ndodh, do isha i lumtur dhe do ishte zgjidhje e mirë për gjithë popullin shqiptar”, tha Rouçek. Zëvendëspresidenti i PE-së jep dhe propozimin për zgjidhje se deri ku mund të shkojë hetimi i kutive të votimit. “Nuk më takon mua t’u them politikanëve shqiptarë se çfarë duhet të bëjnë. Ndoshta hapja e një pjese të kutive, në zona të ndryshme, pra hapja e disa kutive në çdo zonë edhe kjo mund të ishte një zgjidhje”, tha Libor Rouèek.