SHBA e OSBE: Mbështesim Topin
ADI SHKEMBIShtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Prezenca e OSBE-së vlerësojnë nismën e Presidentit Bamir Topi për të ulur në një tryezë kryeministrin Berisha dhe kreu e PS-së, Edi Rama për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në një deklaratë për mediat faktori ndërkombëtar mbështet kreun e shtetit pak ditë para bisedimeve të së shtunës në selinë e Presidencës. SHBASipas njoftimit në faqen zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Uashingtoni mbështet kreun e shtetit në nismën e tij për të organizuar tryezën e bisedimeve. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit Shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”, thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë Ambasada Amerikane shprehet se bisedimet në zyrën e kreut të shtetit janë një mundësi e mirë për të kaluar ngërçin politik. “Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën Euro-Atlantike të Shqipërisë”, thuhet më tej në deklaratën për mediat të Ambasadës Amerikane.OSBENë të njëjtën kohë Prezenca e OSBE-së në Tiranë mirëpriti mbajtjen e tryezës politike në 13 shkurt në selinë e Presidencës. Përmes një deklarate për mediat, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch vlerësoi edhe qëndrimet politike të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për pjesëmarrjen në tryezë. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”, theksoi kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. TakimiNë prag të mbajtjes së tryezës, dalin edhe disa nga detajet që do të shoqërojnë takimin e parë që pas 28 qershorit të Presidentit Bamir Topi me Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Burimet pranë këtij takimi bëjnë të ditur se në fillim të tryezës do të ketë një deklarim të shkurtër para mediave për të vazhduar më pas me dyer të mbyllura bisedimet. Në të njëjtën kohë mësohet se kreu i shtetit nuk do të hartojë ndonjë draft paraprak mbi të cilin do të diskutohet. Megjithëse do të jetë takim mes krerëve të dy forcave të mëdha politike, Berisha dhe Rama nuk do të jenë të vetmit në tryezë. Burimet saktësojnë se kreu i qeverisë ka zyrtarizuar pjesëmarrjen në këtë takim edhe të nënkryetarit dhe kryetarit të grupit parlamentar Astrit Patozi. Nga ana tjetër kreu i opozitës, Edi Rama nuk e ka konfirmuar ende se cili do të jetë bashkëpunëtori i tij në tryezë, ndërkohë që emrat që lakohen janë ata të Gramoz Ruçit dhe Fatmir Xhafa. Tryeza e krerëve të dy forcave të mëdha politike do të pasohet nga takimet mes ekspertëve të PD-së dhe PS-së për të gjetur zgjidhjen teknike dhe ligjore.